Drejtori i përgjithshëm i “Exxon Mobil”, Rex Tillerson është takuar me Donald Trumpin mes spekulimeve se po konsiderohet për postin e Sekretarit të Shtetit.
“NBC News” citon burime të afërta me presidentin e zgjedhur, të thonë se Tillerson mund të emërohet javën e ardhshme. Sipas rrjetit televiziv, ish-ambasadori amerikan në OKB, John Bolton do të caktohet si zëvendësi i tij. Të tjerë emra janë lakuar për postin e Sekretarit të Shtetit, mes tyre edhe republikani veteran Mitt Romney. Ndërsa ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, Rudy Giuliani hoqi dorë nga pretendimet javën e kaluar , pasi marrëveshjet e tij të biznesit kanë ngritur pikëpyetje mbi përshtatshmërinë e tij për postin. 64-vjeçari Tillerson ka përvojë të gjerë sa i përket negociatave ndërkombëtare dhe gjithashtu një marrëdhënie biznesi me presidentin rus Vladimir Putin. Ndoshta kjo ka ndikuar në qëndrimin e tij kundër sanksioneve ndërkombëtare ndaj Rusisë, pas aneksimit të Krimesë nga kjo e fundit. Ndërkaq, ekipi i Trumpit sfidoi saktësinë e informacioneve të inteligjencës, se Rusia ishte përpjekur të favorizonte manjatin e pasurive të paluajtshme gjatë fushatës elektorale, duke publikuar “e-mail”-e që dëmtonin Hillary Clintonin. Në një deklaratë, ekipi i trancizionit tha se zyrtarët e CIA-s që kishin bërë këto konstatime ishin po të njëjtët që kishin thënë se Sadam Huseini kishte armë të shkatërrimit në masë.