Një ndihmë e re armësh amerikane për Ukrainën do të përfshijë rreth 50 automjete luftarake “Bradley”, thanë të enjten dy zyrtarë amerikanë. Të mërkurën, presidenti Joe Biden tha se dërgimi i automjeteve luftarake “Bradley” në Ukrainë po shqyrtohet për të ndihmuar vendin që po lufton kundër agresionit rus. Paketa më e fundit e sigurisë për Ukrainën pritet të konfirmohet të premten, thanë zyrtarët që folën në kushte anonimiteti për agjencinë e lajmeve, Reuters. Automjeti i blinduar që ka një armë të fuqishme, i prodhuar nga “BAE Systems”, ka qenë një nga pajisjet kryesore i përdorur nga Ushtria e SHBA-së për të transportuar trupa nëpër fushat e betejës, që nga mesi i viteve 1980. Ushtria amerikane ka mijëra “Bradley”, të cilat mund t’u japin ukrainasve më shumë fuqi në fushën e betejës. Vendimi i administratës Biden, megjithatë, nuk përfshin dërgimin edhe të tankeve “Abrams” në Ukrainë, një gjë që është kërkuar nga ukrainasit.
Në fund të muajit të kaluar, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy i tha Kongresit të SHBA-së se ndihma amerikane prej dhjetëra miliarda dollarësh për të ndihmuar Ukrainën në luftën kundër pushtimit rus nuk është bamirësi, por një investim në sigurinë globale. Shtetet e Bashkuara kanë dërguar rreth 21.3 miliardë dollarë ndihmë sigurie për Kievin, pasi konflikti më i madh në Evropë që nga viti 1945 po vazhdon, duke vrarë dhjetëra mijëra njerëz. Shtetet e Bashkuara kanë dërguar gjithnjë e më shumë armë më të të sofistikuara në Ukrainë. Ndërsa lufta përparonte dhe nevojat e Ukrainës ndryshuan, sisteme më komplekse të armëve, duke përfshirë sistemet raketore të artilerisë së lartë (HIMARS) dhe sistemet e avancuara kombëtare të raketave tokë-ajër (NASAMS), u dërguan në Kiev. Së fundmi, Shtetet e Bashkuara u zotuan të dërgojnë sistemin me raketa “Patriot” për të zmbrapsur sulmet me raketa ruse dhe dron. Trajnimi dhe logjistika të tjera rreth përdorimit të “Patriotëve” ende po shqyrtohen.
Ushtria amerikane po punon për të hequr nga përdorimi flotën e saj “Bradley” dhe po punon me industrinë për të ndërtuar një zëvendësues në përpjekje për të modernizuar ushtrinë.