Zakonisht fundjava që i paraprin Ditës së Punës në Shtetet e Bashkuara, ka shënuar fillimin e një sprinti të furishëm të takimeve politike që zhvillohen në shtetin e Ajouas për të përzgjedhur kandidatin zyrtar për president të partisë. Por ndërsa vëmendja përqendrohet gjithnjë e më shumë tek fushata e vitit 2024, vrulli i zakonshëm po shoqërohet nga një ndjesi paqartësie. Donald Trump dominon në fushatën paraprake të republikanëve, me epërsi ndaj rivalëve të tij me përvojë bindëse si guvernatorë, diplomatë dhe sipërmarrës. Fuqia e ish-presidentit vjen pavarësisht ose ndoshta për shkak të padive të shumta penale që po kërcënojnë të lënë në hije çdo debat serioz lidhur me ardhmen e vendit. Tani për tani, dhjetëra miliona dollarë që rivalët republikanë të tij po hedhin në garë, po bëjnë pak për të zvogëluar peshën e ish-Presidentit Trump, duke nxitur shqetësime mes kritikëve republikanë, të cilët druhen se zgjedhjet në thelb, mund të përfundojnë ende pa nisur.

Ndërsa kandidati kryesor republikan, po forcon kontrollin në garën për të siguruar emërimin zyrtarisht nga partia, në kampin demokrat Presidenti Joe Biden duket se po shkon lehtësisht drejt asaj rruge. Tetëdhjetë vjeçari duket se do ta sigurojë lehtësisht emërimin nga demokratët, pavarësisht shqetësimeve të ngritura nga shumë vetë brenda partisë lidhur me moshën e tij apo punën që po kryen. Pavarësisht në u pëlqen ose jo votuesve, një përballje e re në 2024-n Trump-Biden duket se po shfaqet në horizont, duke rritur shanset për një sezon zgjedhor paqartësish e që vetëm do të intensifikonte ndarjen politike në vend. Aktualisht zoti Trump po i anashkalon debatet presidenciale të partisë së tij. Paraqitjet në gjykata ndonjëherë po tërheqin më shumë vëmendje sesa takimet e tij në kuadër të fushatës. Edhe zoti Biden pothuajse nuk po bën fushatë ndërsa përballet me pikëpyetje mbi moshën e tij dhe sfidat ligjore me të cilat përballet djali i tij, Hunter Biden.

“Nuk besoj se do të ketë një ndryshim të dukshëm të gjërave. Pra, ajo që ka ndodhur në të shkuarën përcakton kursin për të ardhmen”, tha në një intervistë Guvernatori demokrat i Kalifornisë, Gavin Newsom, i cili vlerësoi arritjet e Presidentit Biden, ndërsa paralajmëroi partinë e tij që të mos nënvlerësojnë forcës politike të zotit Trump.

Zoti Newsom tha se shqetësimet lidhur me moshën e zotit Biden “janë të drejta dhe se Shtëpia e Bardhë e di” një gjë të tillë.

“Por nëse mosha është baraz me rezultate”, vazhdoi ai: “mezi pres ditëlindjen e tij të 85-të”.

Në kampin republikan, po rriten shqetësimet në mesin e disa donatorëve dhe udhëheqësve partiakë, të cilët shpresonin se votuesit konservatorë do të hiqnin dorë nga zoti Trump, duke pasur parasysh sulmin e 6 janarit ndaj Kapitolit dhe rolin e dyshuar të ish-presidentit në frymëzimin e tij, apo dhe sfidat e tjera serioze ligjore me të cilat përballet zoti Trump.

“Një përballje e re Trump-Biden do të ishte një fatkeqësi për vendin, një gjë që më dëshpëron”, thotë Bobbie Kilberg, një donatore e njohur republikane, që po mbështet ish-Guvernatorin e Nju Xhersit, Chris Christie. Ajo thotë se është “e frikshme” që kaq shumë votues të partisë së saj, vazhdojnë të mbështesin ish-presidentin.

“Refuzoj të besoj se Trump-i është kandidati ynë i pashmangshëm”, thotë ajo.

Por ka ende kohë që panorama zgjedhore e vitit 2024 të ndryshojë.

Mbeten edhe katër muaj para se të hidhen votat e para në zgjedhjet paraprake në Ajoua ndërsa zgjedhjet e përgjithshme janë më shumë se një vit larg. Dhe historia e kohëve të fundit ka ofruar shumë shembuj kandidatësh që i kanë kaluar pritshmëritë. Si zoti Trump ashtu edhe zoti Biden janë të dy nga ata shembuj. Aborti vazhdon të jetë një shqetësim për zgjedhjet – madje edhe në shtete që shihen si bastione të republikanëve si Kansasi, Kentaki dhe Ohajo – pasi votuesit po refuzojnë përpjekjet republikane për të kufizuar qasjen tek kjo procedurë. Mundësitë janë për një reagim edhe më të madh ndërsa gjykatat po shqyrtojnë qasjen tek pilula e abortit, një ilaç që përgjithësisht është lejuar të përdoret. Ish-Presidenti Trump përballet me 91 akuza penale që rrjedhin nga katër padi të ngritura nëUashington, Nju Jork, Majemi dhe Atlanta. Ato përfshijnë gjithçka, nga mënyra se si ai i ka trajtuar informacionet e klasifikuara, tek përpjekjet e dyshuara të tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 e deri tek dyshimet se ka paguar një aktore të filmave pornografike për të siguruar heshtjen e saj lidhur me një marrëdhënie të dyshuar seksuale mes tyre. Ish-presidenti mund të shpallet fajtor në proceset gjyqësore me të cilat përballet përpara zgjedhjeve të përgjithshme të nëntorit të ardhshëm. Megjithatë, udhëheqësit e partisë – përfshirë shumica e kandidatëve rivalë të tij brenda partisë– janë zotuar ta mbështesin zotin Trump edhe nëse ai do të dënohej. Po kështu edhe Kushtetuta nuk e ndalon një person të dënuar që të zgjidhet president. Në të njëjtën kohë, zyrtarët demokratë janë thellësisht të shqetësuar për mundësinë e futjes në garë të një pale të tretë nën flamurin e ‘No Labels’, një grup i qendrës, i mbështetur nga një buxhet prej 70 milionë dollarësh, që po punon aktivisht për të siguruar këtë vit një vend në garën presidenciale në të paktën 20 shtete. Udhëheqësit e grupit thonë se ata do të emërojnë një kandidat pranverën e ardhshme vetëm nëse zoti Trump dhe zoti Biden fitojnë zgjedhjet paraprake brenda partive të tyre, gjë që po duket gjithnjë e më e mundshme. Po kështu ata thonë se do të bëjnë përpara me planet e tyre vetëm nëse do të ishte e sigurt se kandidati presidencial i këtij grupimi, nuk do të ndihmonte pa dashje, zotin Trump që të fitonte sërish zgjedhjet.

Artikulli paraprakMINISTRI I EMIGRACIONIT NË ANGLI: KEMI NJË ULJE PREJ 90% TË SHQIPTARËVE QË VIJNË ILEGALISHT NË BRITANI!
Artikulli tjetërKONFISKIMI I DEPOS SË ARMËVE NË VERI TË KOSOVËS, FLET KURTI