Në Los Anxhelos, autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e banorëve të lagjes historike të Hollivudit. Departamenti i Zjarrfikësve të qytetit e ka cilësuar situatën si një “kërcënim të menjëhershëm për jetën” dhe ka kufizuar hyrjen në disa zona.
Sipas raportimeve të ABC, numri i viktimave nga zjarret ka arritur në pesë, të gjitha në zonën e Altadenës, ku shpërtheu zjarri Eaton. Situata mbetet kritike, ndërsa ekipet e emergjencës vazhdojnë përpjekjet për të kontrolluar flakët dhe për të mbrojtur jetët dhe pronat e qytetarëve.
Sipas Los Angeles Times, deri më tani janë shkatërruar të paktën 1,100 biznese, shtëpi dhe struktura të tjera. Zjarri Palisades, shpërthimi më i madh aktiv, ka përpirë 39,121 hektarë tokë në një nga zonat më ekskluzive të qytetit. Mbi 1,000 struktura janë shkatërruar plotësisht nga flakët.
Një tjetër zjarr i madh, zjarri Hurst në Sylmar, në veri të Los Anxhelosit, është përhapur në 1,729 hektarë brenda pak orësh. Situata është kritike, me rreth 150,000 njerëz të evakuuar nga shtëpitë e tyre në të gjithë shtetin. Asnjë nga këto zjarre nuk është vënë ende nën kontroll, sipas Departamentit të Pyjeve dhe Mbrojtjes nga Zjarri në Kaliforni.
Presidenti Joe Biden ka anuluar udhëtimin e tij të planifikuar për në Itali për shkak të situatës alarmante të zjarreve që kanë përfshirë Los Anxhelosin. Vendimi u njoftua nga Shtëpia e Bardhë, duke theksuar përkushtimin e presidentit për menaxhimin e kësaj emergjence të rëndë.
Biden ishte planifikuar të takohej me kryeministren italiane Giorgia Meloni, presidentin Sergio Mattarella dhe Papa Françeskun gjatë udhëtimit, i cili do të ishte i fundit i presidencës së tij. Sipas zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, presidenti e mori këtë vendim për të mbështetur përpjekjet për menaxhimin e zjarreve që po shkatërrojnë qytetin e Los Anxhelosit.