Shefi i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres ka dënuar vendet e pasura dhe gjigantët energjetikë për goditjen ndaj kombeve të varfra duke përdorur norma interesi “grabitqare” dhe çmime të larta të karburantit. Në fjalimin e tij në ditën e hapjes së samitit të OKB-së për vendet më pak të zhvilluara (LDC) në Katar të shtunën, Guterres tha se kombet e pasura duhet të japin 500 miliardë dollarë në vit për të ndihmuar vendet e tjera më të vogla që kanë mbetur në një rreth vicioz pa mundur të zhvillojnë shëndetësinë dhe arsimin. Samiti i 46 LDC mbahet normalisht çdo 10 vjet, por është shtyrë dy herë që nga viti 2021 për shkak të pandemisë së koronavirusit. Afganistani dhe Mianmari, dy nga vendet më të varfra, nuk janë të pranishëm në takimin në kryeqytetin e Katarit, Doha, sepse qeveritë e tyre nuk njihen nga anëtarët e OKB-së. Asnjë lider nga asnjë prej ekonomive kryesore të botës nuk mori pjesë.
Shtetet e varfra të bllokuara
Guterres tha se kombet më të varfra po liheshin pas në “revolucionin dixhital” dhe lufta në Ukrainë vetëm sa kishte rritur çmimet që ata paguajnë për ushqimin dhe karburantin.
“Sistemi ynë financiar global është projektuar nga vende të pasura, kryesisht në dobi të tyre. Të privuar nga likuiditeti, shumë prej jush janë të mbyllur jashtë tregjeve të kapitalit nga normat grabitqare të interesit”-tha ai. Me shtetet më të varfra të bllokuara në varfëri dhe padrejtësi, Guterres tha duhej një minimum prej 500 miliardë dollarësh në vit për të ndihmuar në kapërcimin e problemeve të vendeve të varfra, për të ndërtuar industri që krijojnë vende pune dhe për të shlyer borxhet.