Edhe këtë të enjte, Izraeli vijoi sulmet ndaj militantëve të Hamasit në qytetet më të mëdha të Rripit të Gazës, duke shkaktuar vdekjen e 350 personave si dhe mijëra civilë palestinezë që kërkonin strehim për t’i shpëtuar luftimeve. Shumë banorë të zhvendosur u grumbulluan në qytetin Rafah në kufirin jugor me Egjiptin, ku fletëpalosjet izraelite u kërkonin palestinezëve të zhvendoseshin, duke thënë se do të ishin të sigurt. Por ministria e shëndetësisë e kontrolluar nga Hamasi raportoi të paktën 37 viktima nga sulmet ajrore izraelite gjatë natës.

Ushtria izraelite të enjten po ashtu akuzoi militantët se kishin gjuajtur me raketa nga disa zona pranë qendrave humanitare, në qytetin Rafah. Zyrtarë të Kombeve të Bashkuara thonë se nuk ka vende të sigurta në Gazë. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres paralajmëroi për një “katastrofë humanitare” të afërt në Gazë dhe u kërkoi si Izraelit e Hamasit një armëpushim të ri. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së në një letër drejtuar Këshillit të Sigurimit paralajmëron se një kolaps i përgjithshëm i sistemit humanitar në Gazë mund të ketë “pasoja të pakthyeshme për palestinezët në tërësi dhe për paqen dhe sigurinë në rajon”.

“Në mes të bombardimeve të vazhdueshme nga Forcat e Mbrojtjes të Izraelit, dhe pa strehim ose artikuj thelbësorë për të mbijetuar, besoj se rendi publik shumë shpejt do të shkatërrohet plotësisht për shkak të kushteve të dëshpëruara, duke e bërë të pamundur edhe ndihmën e kufizuar humanitare”, tha zoti Guterres.

Ministri i Jashtëm izraelit, Eli Cohen kritikoi qendrimin e shefit të OKB-së, duke thënë se thirrja e tij për armëpushim mbështeste Hamasin. Zëdhënësi i qeverisë izraelite, Eylon Levy u tha gazetarëve se Izraeli do që lufta të përfundojë, por vetëm “nëse realizohet qëllimin që Hamasi të mos mund të sulmojë më kurrë popullin tonë”. Shtetet e Bashkuara, mbështetësi kryesor i Izraelit, i kanë bërë vazhdimisht thirrje Tel Avivit që të mbrojë civilët. Por SHBA-të kanë thënë se nga një armëpushim i përgjithshëm do të përfitonte Hamasi. Një armëpushim njëjavor që përfundoi më 1 dhjetor çoi në lirimin e gati 100 pengjeve të mbajtura nga Hamasi, megjithëse militantët besohet se mbajnë ende rreth 140 të tjerë. Sipas raportimeve nuk po zhvillohen negociata për një tjetër ndërprerje të luftimeve. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se forcat izraelite po i afrohen vendndodhjes së kreut të Hamasit në Gazë, Yahya Sinwar dhe se “është vetëm çështje kohe derisa ta gjejmë atë”. Kombet e Bashkuara thanë se dhjetëra mijëra njerëz kanë mbërritur ditët e fundit në qytetin Rafah, i vetmi në Gazë ku është bërë një shpërndarje e kufizuar e ndihmave humanitare këtë javë për shkak të përshkallëzimit të dhunës më në veri.

Artikulli paraprakKURTI U DREJTOHET NË SERBISHT SHTETASVE SERBË/ FLET PËR VIZAT, TARGAT DHE APLIKIMIN E KOSOVËS NË KIE
Artikulli tjetërLAJÇAK: KA PROGRES NË ZBATIMIN E MARRËVESHJEVE TË DIALOGUT MES KOSOVËS DHE SERBISË