Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon që rritja ekonomike të ngadalësohet në 2% në vitin 2023, nga 3.7% që është vlerësimi për vitin 2022. Shefja e Misionit të FMN-së për Shqipërinë, Yan Sun, thotë në një intervistë për “Monitor” se, rritja e kostos së jetesës ka filluar të ndikojë negativisht në besimin dhe kërkesën e brendshme, me inflacionin që ka arritur nivelet më të larta të dy dekadave në muajt e fundit, i nxitur nga çmimet e ushqimeve dhe energjisë. Si një parakusht për zhvillimin afatgjatë të vendit, shefja e FMN-së e vë theksin në ndërtimin e një sistemi tatimor më të drejtë, më efikas, më të thjeshtë dhe më transparent, që mund ta bëjë Shqipërinë më tërheqëse për investimet e huaja, ndërkohë që do të fuqizojë aktivitetin e brendshëm ekonomik, duke përfshirë stimujt e duhur ekonomikë dhe duke u përballur me nivelin e lartë të informalitetit.

Si e vlerësoni ecurinë e ekonomisë shqiptare në vitin 2022?
Pas një rimëkëmbjeje të fortë në vitin 2021, ekonomia shqiptare ruajti një vrull pozitiv në vitin 2022, pavarësisht tronditjes së ekonomisë globale nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës. Siç u diskutua në raportin e stafit të FMN-së, të botuar së fundmi për Konsultimin e Nenit IV me Shqipërinë 2022, ne presim që rritja reale e PBB-së të arrijë në 3.7% në vitin 2022, në mbështetje të aktivitetit të fortë në turizëm, pasuri të paluajtshme dhe shërbime. Është mjaft e dukshme që ardhjet e turistëve kanë tejkaluar kulmin para pandemisë së vitit 2019, me rreth 10% në vitin 2022. Megjithatë, rritja e kostos së jetesës ka filluar të ndikojë negativisht në besimin dhe kërkesën e brendshme, me inflacionin që ka arritur nivelet më të larta të dy dekadave në muajt e fundit, i nxitur nga çmimet e ushqimeve dhe energjisë. Me ushqimin dhe energjinë që përbëjnë gjysmën e shportës së konsumit të Shqipërisë, presionet e brendshme inflacioniste kanë filluar të rriten dhe inflacioni është bërë me bazë të gjerë.

Si e prisni ecurinë e ekonomisë së vendit në vitin 2023? Cilët janë faktorët që do të ndikojnë pozitivisht dhe negativisht?

Rritja pritet të ngadalësohet në rreth 2% në vitin 2023, duke reflektuar kushtet më të shtrënguara financiare, ngadalësimin në Europë dhe tërheqjen e politikave mbështetëse. Inflacioni është rritur, i nxitur nga çmimet e ushqimeve dhe energjisë, dhe është bërë gjithnjë e më i gjerë. Inflacioni total pritet të arrijë kulmin në muajt e ardhshëm dhe duhet të fillojë të ulet në vitin 2023. Inflacioni pritet të kthehet në objektivin e bankës qendrore prej 3% nga mesi i vitit 2024, teksa çmimet ndërkombëtare të mallrave pritet të stabilizohen, politikat fiskale dhe monetare të shtrëngohen dhe rritja, të ngadalësohet. Inflacioni bazë pritet të arrijë kulmin në vitin 2023, duke pasur parasysh efektet e raundit të dytë. Vitet e fundit kanë treguar se shumë ngjarje janë të pamundura të parashikohen (si p.sh. shpërthimi i pandemisë dhe sulmi i Rusisë në Ukrainë). Sa e përgatitur është Shqipëria për të përballuar ngjarje të tilla në të ardhmen, ndërkohë që këto ngjarje kanë përkeqësuar financat e saj dhe kanë shtyrë planet për konsolidimin fiskal?

Përpjekjet e Shqipërisë në të kaluarën, për të ndërtuar amortizatorët e politikave dhe një kombinim i politikave të përshtatshme makroekonomike gjatë viteve 2020-‘21 e kanë ndihmuar vendin të përballojë ndikimin e goditjeve të njëpasnjëshme që nga viti 2019. Megjithatë, domosdoshmëria për t’u përballur me krizat e njëpasnjëshme në vitet e fundit ka gërryer, në masë të madhe, amortizatorët e politikave fiskale të Shqipërisë. Në mënyrë që të jetë e përgatitur për t’u përballur me goditjet e ardhshme, Shqipëria duhet të kombinojë amortizatorët e politikave fiskale me një konsolidim më ambicioz dhe më të besueshëm, të mbështetur nga një Strategji e shëndoshë Afatmesme e të Ardhurave (MTRS). MTRS duhet të finalizohet dhe zbatohet pa vonesa të mëtejshme. Një konsolidim fiskal më ambicioz do të ndihmonte gjithashtu në uljen e inflacionit dhe në rritjen e konkurrueshmërisë së Shqipërisë. Objektivi i Buxhetit 2023 për një suficit të vogël primar — dhe në këtë mënyrë, përmbushja e kërkesës së bilancit primar në Ligjin për Buxhetin Organik, një vit përpara afatit — është një hap në drejtimin e duhur. Por ne mendojmë se rruga e konsolidimit fiskal nga viti 2024 duhet të jetë më ambicioze, në mënyrë që të rindërtohet më shpejt hapësira për manovra të politikave. Ne rekomandojmë që qeveria të synojë për një suficit primar më të madh prej 1.5% në vitin 2024. Nëse rreziqet e rënies materializohen, stabilizuesit automatikë duhet të lejohen të funksionojnë dhe duhet të vendoset një mbështetje e mëtejshme, e përkohshme dhe e synuar për më të cenuarit. Konsolidimi fiskal duhet të plotësohet me mbështetje fiskale të përkohshme dhe të synuar, për të mbrojtur grupet më të cenueshme. Forcimi i mbrojtjes sociale mund të ndihmojë në përmirësimin e instrumenteve të menaxhimit të krizave në Shqipëri, duke mundësuar mbështetje fiskale më efektive dhe të synuar. Me borxhin publik ende të lartë dhe nevoja të mëdha për financim bruto, Shqipëria nuk mund të përballojë subvencione me bazë të gjerë, nga të cilat priren të përfitojnë, në mënyrë të papërshtatshme, ata që janë më mirë të pozicionuar ndaj mekanizmave të çmimeve. Paqëndrueshmëria në tregun global të energjisë e ka vënë theksin në urgjencën e reformave vendimtare për të garantuar qëndrueshmëri financiare në sektorin e energjisë elektrike të Shqipërisë, për të zvogëluar rreziqet fiskale dhe për të rritur sigurinë e energjisë.

Artikulli paraprakTEMPERATURAT ARRIJNË NËN ZERO GRADË/ SI DO JETË MOTI PËR DITËN E SOTME
Artikulli tjetërPËRFAQËSUESI I BANKËS BOTËRORE PËR SHQIPËRINË: MUNGESA E FUQISË PUNËTORE PO MINON POTENCIALIN E RRITJES SË KOMPANIVE