Një konflikt mes disa personave ka përfunduar me vrasjen tragjike me sende të forta të një 29-vjeçari dhe plagosjen me thikë të një 24 vjeçari.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Sllatinë të Dibrës pas një sherri mes dy grupe vëllezërish pasi kishin konsumuar alkool.

Dukagjin Plaku, u godit me sende të forta dhe për pasojë humbi jetën tri orë më pas në Spitalin e Dibrës.

Disa orë më vonë u arrestuan vëllai i viktimës Qazim Plaku dhe dy autorët, dy vëllezërit kundërshtarë Jurgen Hysa dhe Myrtezan Hysa.

Sipas Policisë sherri nisi pasi, Qazim Plaku plagosi me thikë 24 vjecarin Myrtezan Hysa.
Këta të fundit si hakmarrje kanë sulmuar me leva e sende të tjera të forta 29 vjecarin Dukagjin Plaku duke i shkaktuar plagë të rënda.

“Rreth orës 03.00, datë 17.09.2019, fshatin Sllatinë, gjatë një konflikti të çastit, pasi kishin konsumuar alkool, në ambjentet e një lokali në fshat, shtetasi Qazim Plaku 24 vjeç, dyshohet se ka plagosur me thikë shtetasin Myrtezan Hysa 24 vjeç, dhe ky i fundit, në bashkëpunim me vëllain e tij, Jurgen Hysa ka plagosur me sende të forta shtetasin Dukagjin Plaku 29 vjeç, ku si pasojë e plagëve të marra ka humbur jetën në spital”, thuhet në njoftimin e policisë.

I riu është dërguar në spitalin e Dibrës ku ndërroi jetë pasi nuk u mbijetoi plagëve.
Të rinjtë sipas raportimeve kishin konsumuar alkool deri në orët e para të mëngjesit në lokal, por motivet e nisjes së sherrit ende janë nën hetim.

Artikulli paraprakMAKINA DEL NGA RRUGA ,1 I VDEKUR, 2 TË PLAGOSUR
Artikulli tjetërU SHKARKUAN NGA VETTINGU, GJYKATA E STRASBURGUT KËRKON TË DHËNA PËR RASTIN E ALTINA XHOXHAJT DHE BESA NIKHASANIT