Sherr me armë zjarri mes shqiptarëve në Itali
Të shtëna me armë zjarri janë shënuar këtë të enjte në qendër të komunës italiane Barzio. Gjatë pasdites së vonë, një shofer nxori nga brezi një pistoletë dhe e shkrepi. Për fat të mirë, ai e drejtoi armën drejt tokës dhe askush nuk u lënduar, raportojnë mediat lokale. Ai që shkrepi armë ishte një shqiptar, i cili qëlloi për të trembur një tjetër shofer, edhe ai shqiptar. Ngjarja ndodhi pasi makinat e të dyve u përfshinë në një aksident rrugor. Pas të paktën një të shtëne, autori hipi sërish në mjetin e tij dhe u largua. Efektivët janë ende në kërkim të shqiptarit i cili qëlloi me armë, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur nga raportimet e medieve lokale.