Disa persona janë konfliktuar në lagjen nr 18, në Durrës, ku për pasojë janë shkrepur edhe armë zjarri në ajër.
Fatmirësisht nuk ka persona të lënduar, ndërsa policia ka mundur të arrestojë dy autorët e konfliktit, të cilët tentuan të largohen me shpejtësi.
Arrestimi – Në pranga kanë rënë shtetasit A.B., 26 vjeç (pasagjer në mjet), i cili dyshohet se është personi i cili ka qëlluar me armë zjarri dhe E.K., 30 vjeç, (drejtuesi i mjetit) të dy banues në Durrës.
“Shtetasi që kishte qëlluar me armë zjarri në ajër së bashku me shokun e tij në momentin që kanë parë Policinë kanë tentuar të largohen me shpejtësi me automjet por janë kapur në flagrancë gjatë ndjekjes nga shërbimet e policisë”- njofton policia.
Sekuestrimi – Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet u gjet dhe u sekuestrua arma e zjarrit tip pistoletë me disa fishekë luftarakë.
Policia informon se personat e përfshirë në konflikt njihen si persona me precedentë të mëparshëm në fushën e krimeve kundër personit dhe kundërshtimit të punonjësve të Policisë.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e shkakut të konfliktit, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë konflikt.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore materialet do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale ” Mbajtja pa leje i armëve dhe i municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike” në ngarkim të shtetasit A.B., dhe “Moskallëzimi i krimit ” në ngarkim të shtetasit E.K.