Një incident është regjistruar mbrëmjen e së mërkurës në oborrin e policisë bashkiake të Tiranës, në rrugën e Kavajës.
Policia e kryeqytetit njofton se një polic bashkiak është plagosur me thikë nga shtetasi Bujar Shehu, 54 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për “Kundërshtim të punonjësit që kryen një detyrë shtetërore”. “Ky shtetas dyshohet të ketë qëlluar disa herë me thikë punonjësin e Policisë Bashkiake, shtetasin D. H., 37 vjeç, duke i shkaktuar dëmtime në trup” bën me dije policia. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00. Efektivët e komisariatit numër 2 kanë shkuar menjëherë pas telefonatës në numrin e emergjencave 112, duke bërë arrestimin e agresorit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe arma e ftohtë e krimit, një thikë me mbishkrimin “LORD Stainless”. Polici i plagosur ndodhet në ambientet e S.Q.U, jashtë rrezikut për jetën. Materialet i’u kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Vrasje e ngelur në tentative” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje të armëve të ftohta”.