Po bëhej gati të shkonte në një dasëm por një plumb në këmbë para se të nisej ia bëri të pamundur. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 13 gushtit rreth orës 20:40, në njësinë Postribë në Shkodër teksa i plagosur mbeti shtetasi Çel Shabaj, 43 vjeç. I plagosuri u dërgua menjëherë në spitalin rajonal të Shkodrës me një autoambulancë të shërbimit kombëtar të urgjencës dhe pas dhënies së ndihmës së shpejtë nga mjekët rezulton jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë policia menjëherë pas plagosjes arrestoi autorin e dyshuar të plagosjes, shtetasin Kristjan Kakija dhe efektivët sekuestruan edhe armën me të cilën dyshohet se u krye ky krim.

Bashkë me autorin, të arrestuar janë edhe dy persona të tjerë që ndodheshin në automjet me Kristjan Kakinë, shtetasit Lulzim Kakija dhe Artan Kakija, të afërm me njëri-tjetrin. Ndërkohë policia shpalli në kërkim edhe tre shtetas të tjerë me inicialet Z.K 28 vjeç, F.L 25 vjeç dhe A.Rr 25 vjeç po ashtu të afërm dhe shokë të autorit të dyshuar. Shtetasi Çel Shabaj po dilte nga banesa e tij në Postribë dhe në atë moment ka qenë duke ardhur nga Prekali në drejtim të Postribës autori i dyshuar sëbashku me të afërmit dhe shokët e tij të cilët ndodheshin në dy automjete njëra pas tjetrës. Në atë moment ka nisur një debat mes tyre se kush duhej të kalonte. Sipas burimeve shtetasi Kristjan Kakija pasi është larguar vetëm disa metra, është kthyer edhe njëherë dhe ka nxjerrë armën duke plagosur 43 vjeçarin.

Në atë moment kanë ndërhyrë pjestarë të tjerë të fisit Shabaj që ndodheshin shumë afër pasi edhe ata po bëheshin gati për të shkuar në dasëm duke u përfshirë në një përleshje fizike mes tyre. Një kushëri i të plagosurit ka arritur që në ato momente t’ia heq armën nga dora autorit të dyshuar i cili më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Pak minuta nga plagosja policia përmes forcave “Shqiponja” arriti që të arrestojë shtetasin Kristjan Kakija dhe dy të afërmit e tij si dhe duke sekuestruar edhe armën e dyshuar, tip pistoletë me të cilën mund të ketë kryer plagosjen. Ndërkohë automjeti me tre personat e tjerë arritën që të largohen nga vendi i ngjarjes. Policia dhe prokuroria e Shkodrës vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj plagosje të ndodhur në Postribë mbrëmjen e 13 gushtit.

Artikulli paraprakALBIN KURTI I PËRGJIGJET SHBA: URA E IBRIT DUHET TË HAPET, NUK ËSHTË ÇËSHTJE DISKUTIMI
Artikulli tjetërPËR ATA QË JANË BEQARË MUND TË JETË KOHA PËR TË FILLUAR LIDHJEN ME DIKË… HOROSKOPI PËR SOT