Policia vendore e Lezhës dhe komisariati i policisë në Kurbin në bashkëpunim me IKMT-në e Lezhës goditën dy raste të gërryerjes së kundërlishme të shtratit të lumit Mat. Konkretisht u konstatua një eskavator duke punuar me qëllim nxjerrjen e inerteve si dhe një eskavator tjetër në afërsi të tij, i fikur. Nga veprimet hetimore rezultoi se këto dy mjete ishin në pronësi të një subjekti me administrator shtetasin me inicialet P. M. 57 vjeç, banues në Lezhë i cili u arrestua në flagrancë, pasi nuk dispononte leje dhe dokumentacion përkatës për ushtrimin e kësaj veprimtarie. Lidhur me këtë rast, u procedua penalisht në gjendje të lirë edhe shtetasi me inicialet A. P. 50 vjeç, banues në Lezhë, i cili në momentin e konstatimit të rastit ishte drejtues i eskavatorit që u kap duke punuar. Gjithashtu, në vijim të kontrolleve në shtratin e lumit Mat, është gjetur edhe një eskavator tjetër i cili dyshohej që do përdorej për nxjerrjen e kundërligjshne të inerteve. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky mjet i përkiste subjektit në pronësi të shtetasve me inicialet A. K 32 vjeç dhe E. L 34 vjeç, banues në Lezhë. Këta shtetas, nga kontrollet e ushtruara nga shërbimet policore pas konstatimit të rastit, nuk janë gjetur as në subjekt si dhe as në banesat e tyre, dhe vijon puna intensive për kapjen e tyre. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, në bashkëpunim me IKMT Lezhë, u bë sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i 3 eskavatorëve, të cilët kaluan në rezervat e shtetit. Policia e Shtetit apelon për të gjitha subjektet, që veprimtarinë e marrjes së inerteve në shtretërit e lumenjve, ta kryejnë sipas kushteve dhe kufijve të përcaktuar në dispozitat ligjore dhe në lejet përkatëse, si dhe në çdo rast të konstatimit të shkeljes së këtyre kushteve, do t’u sekuestrohen mjetet dhe do të ndalohet vijimi i kësaj veprimtarie.

Artikulli paraprakFESTIVALI “LULE BORË”, FITON “SHKO DALLËNDYSHE”
Artikulli tjetërSTAR SPORT – 13.11.2023