PROKURORIA DORËZON MATERIALET PËR TË PANDEHURIN XHEVAHIR OSJA Xhevahir Osja i cili u arrestua në qershorin e vitit të kaluar nga policia e Shkodrës i dyshuar për ushtrim prostitucioni me vajza 15 vjeçare do të përballet me Gjykatën e krimeve të rënda. Prokuroria e Krimeve të Rënda i dorëzoi drejtësisë dosjen penale të 21 vjeçarit nga Shkodra.
Sipas prokurorisë, i pandehuri krijonte lidhje të afërta me të miturat, të cilat jetonin në kushte të vështira. Duke shfrytëzuar këto rrethana i shndërronte në skllave të marrëdhënieve me persona të ndryshëm. Në dosjen e prokurorisë, thuhet se i pandehuri përfitonte çdo qindarkë të siguruar nga veprimtaria kriminale, ku të miturat, pasi josheshin me idenë e gjetjes së një pune si kamariere, detyroheshsin të shndërroheshin në prostituta. Për të njëjtën akuzë, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dërguar për gjykim të pandehurën Agime L. Kjo e fundit kishte marrë një lokal me qera, të cilin e shfrytëzonte edhe si ambjent ku shfrytëzonte vajza të mitura për qëllime prostitucioni. E mitura B.M u ka rrëfyer hetuesve se me Xhevahir Osjën është njohur nepërmjet një shoqes së saj dhe marrëdhënia e tyre fillimisht ishte krejt normale. Sipas saj, pa kaluar shumë kohë nga njohja, Xhevahir Osja e ka shfrytëzuar atë për prostitucion, duke i gjetur klientë të ndryshëm të cilëve ajo u ofronte shërbime seksuale kundrejt pagesës. Në dosjen e prokurorisë zbardhet dhe rrëfimi i një të dëmtuare tjetër. Për të siguruar provat e fajësisë, për shfrytëzuesit e të miturave, prokuroria ka vendosur të infiltrojë një person, i cili është hequr si klient dhe ka filmuar veprimtarinë kriminale. I infiltruari ka mundur të sigurojë prova të pakundërshtueshme. Tashmë pritet përballja e të pandehurve përpara Gjykatës së Krimeve të rënda për shfrytëzimin e të miturave.