Rënia e intensitetit të punimeve në projektet e mëdha të investimeve, gazsjellësin TAP dhe HEC-et mbi lumin Devoll ka çuar në trajektore rënëse totalin e investimeve në ekonomi, duke nisur që nga tremujori i dytë i vitit 2018.
Banka e Shqipërisë ka analizuar se, investimet shënuan rritje vjetore me rreth 1.5% në tremujorin e dytë, një normë kjo më e ulët se rritja prej 4.5% e një tremujori më parë.
Banka sqaron se, treguesit e tërthortë sinjalizojnë se rritja e investimeve pritet të mbetet e ngadaltë edhe gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, e ngjashme me tremujorin e mëparshëm.
Sipas Bankës, ritmet e rënies së investimeve sugjerohen nga importi i makinerive, pajisjeve e pjesëve të këmbimit, rënia e flukseve hyrëse të investimeve të huaja direkte në tremujorin e tretë dhe prirjen rënëse të gjendjes financiare të bizneseve.
Ndërkohë, treguesit të cilët japin sinjale se ecuria e investimeve do të mbetet në kahun rritës janë rritja e shitjeve neto në vëllim në sektorin e ndërtimit edhe kredisë për qëllime investimi.
Banka e Shqipërisë parashikon se, investimet pritet të përmirësojnë dinamikën e tyre rritëse në tremujorin e katërt të këtij viti. Kjo trajektore është në një linjë me rritjen vjetore të importit të makinerive, pajisjeve e pjesëve të këmbimit, dhe të shpenzimeve kapitale të qeverisë në muajt tetor nëntor.
Ndërkohë, sipas të dhënave të tjera si ato të kredisë për qëllime investimi, rritja më e zbutur e saj gjatë muajit nëntor mund të veprojë si faktor kufizues për ritmin e rritjes së pritur të investimeve në tremujorin e fundit të vitit.
Sipas Bankës së Shqipërisë, ecuria më e ngadaltë e investimeve totale në ekonomi u ndikua si nga komponenti publik ashtu edhe nga ai privat.
Komponenti i investimeve të lidhura me ndërtimin rezulton të ketë frenuar ritmet e rritjes, ecuri kjo e sinjalizuar nga treguesi i vlerës së shtuar dhe ai i importit të materialeve që përdoren në këtë sektor.
Ecuria e këtij komponenti vlerësohet se reflekton në një farë mase dhe efektin e krahasimit me një bazë të lartë një vit më pare