PIKA TURISTIKE, NË BASHKËJETESË ME INERTET DHE RIKONSTRUKSIONIN E RRUGËS .
Rruga buzë liqenit nga ura e Bunës drejt Shirokës nuk ngjason më me atë udhën e paqme, anës së cilës syri të mbushet me kaltërsinë e liqenit dhe shpirti të kënaqet nga cicërimet e zogjve. Bashkëudhëtarë me rrugën tënde prej 8 kilometrash nuk janë më qindra shkodranë, të cilët frymën e mbanin pikërisht në gjiret e liqenit për të kaluarfundjavat e tyre. Rruga është krejt e shkretë. Mjafton kaq për të kuptuar që Shiroka ka humbur privilegjin e të qenurit zona më e preferuar e Shkodrës. Prej vitesh, plazhi í i Shirokës, lagje periferike e qytetit të Shkodrës nuk i tërheq më shkodranët. Vitet kur këtyre anëve gëlonte jeta, kanë perënduar. Mesi i viteve ’70 kujtohet si koha më e artë e frekuentimit të plazheve të Shirokës dhe Zogajt. Asokohe njerëzit shfrytëzonin çdo mundësi udhëtimi duke filluar që nga autobusët, motobarkat që niseshin nga ura e Bunës e deri tek biçikletat për të kaluar pushimet në brigjet e liqenit. Për shkak të ndotjes së liqenit, plazhi i Shirokës shfrytëzohet gjithnjë e më pak. Madje mund të thuhet se në Shirokë as nuk ke ku të bësh plazh. Si gjatë bregut po ashtu edhe në ujërat e liqenit duket si të jesh pranë një kënete. Vendin e ambienteve të dikurshme që mbusheshin nga pushuesit e kanë zënë lokalet e ndryshme, ndërsa mozaikët e ndërtuar gjatë rrugës nga ndërmarrjet e dikurshme shtetërore të para 90-ës, tashmë thuajse janë zhdukur. Liqeni i Shkodrës gëzon statusin e zonës së mbrojtur dhe bën pjesë në konventën e Ramsar-it. Për këtë liqen janë dhënë e vazhdojnë të jepen mjaft donacione, duke qenë liqeni më i madh i Ballkanit që lag dy shtete, Shqipërinë e Malin e Zi. Megjithëse organizmat ndërkombëtarë janë të ndjeshëm ndaj ekologjisë në këtë zonë turizmi duket se po shkon drejt zhdukjes. Shiroka e Zogaj, i kanë të gjitha mundësitë të rikthehen në kohërat e dikurshme, por për këtë duhet që pushteti vendor e qendror të jenë ato që të merren .