Një makinë tip Benz me targë AA 875 FR ka rënë poshtë shkëmbinjve në afërsi të bregut të liqenit të Shkodrës.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën Shirokë-Zogaj. Brenda mjetit të aksidentuar policia nuk ka gjetur asnjë person. Po ashtu burime pranë spitalit rajonal të Shkodrës por edhe forcave të policisë rrugore bëjnë me dije se asnjë shtetas i aksidentuar nuk është paraqitur për të marrë ndihmën e parë. Burime pranë policisë vendore të Shkodrës bëjnë me dije se makina mund të jetë rrëzuar gjatë orëve të mbrëmjes të së martes në aksin Shirokë-Zogaj.

Gjatë orëve të mëngjesit kanë qenë kalimtarë të rastit ata që kanë evidentuar makinën e aksidentuar dhe kanë njoftuar sallën operative. Menjëherë uniformat blu kanë mbërritur në vendin e ngjarjes për të bërë edhe hetimin e mjetit që është gjetur poshtë shkëmbit dhe në afërsi të bregut të liqenit. Makina ka rënë nga një lartësi prej 15-20 metër ndërsa sipas shenjave, mjeti tip Benz ka dalë nga rruga dhe vetëm pas pak metrash dyshohet se ka fluturuar në ajër dhe ka rënë poshtë në vendin ku është gjetur. Në bazë të targës së makinës forcat e policisë kanë arritur të identifikojnë autorin i cili është një shtetas austriak që jeton në Shkodër.

Ende nuk dihet se cilat janë shkaqet e aksidentit por dyshohet se ka ardhur për shkak të humbjes së kontrollit ndërsa nuk dihet nëse brenda mjetit ndodhej vetëm shtetasi austriak apo edhe ndonjë person tjetër. Prej kohësh është ngritur problemi i rrugës së ngushtë në aksin Shirokë-Zogaj i cili vijon të jetë një burim aksidentesh.

Artikulli paraprakRREZIKU I PËRDORIMIT TË SUBSTANCAVE DOPING
Artikulli tjetërMJEDISI DHE SFIDAT PER 2017-en