Në 2020-n, të ardhurat nga shitjet të bizneseve shënuan rënie me 116 miliardë (932 milionë euro) në krahasim me vitin 2019 raportoi INSTAT në të dhënat paraprake të Anketës Strukturorë të Ndërmarrjeve.

Xhiroja totale e bizneseve arriti në 18,4 miliardë euro me tkurrje 5.1 për qind në krahasim me vitin 2019.

Rënia e aktivitetit lidhet me efektet negative të pandemisë Covid-19, ku gjatë gjysmës së parë shumica e bizneseve mbyllen tërësisht aktivitetin për gati tre muaj, ndërsa kufizimet në lëvizje që shoqëruan të gjithë vitin 2020 shkaktuan tkurrje të shitjeve, sidomos në sektorin e akomodimit dhe shërbimeve në tërësi.

Gjithashtu ndërmarrjet prodhuese në vend tkurren shitjet si pasojë e rënies së kërkesës nga jashtë dhe vështirësive në transport si pasojë e kufizimeve.

Kontributin më të madh në rënien prej 5,1 % të shitjeve neto e dhanë prodhuesit e shërbimeve me -3,1 pikë përqindje, të ndjekur nga prodhuesit e të mirave me -2,0 pikë përqindje.

Gjatë vitit 2020, sektori i tregtisë zuri peshën më të lartë të shitjeve neto me 48,0 %, i ndjekur nga sektori i ndërtimit me 12,0 %. Sektorët me peshën më të vogël ishin sektori i industrisë nxjerrëse (2,3 %) dhe sektori i akomodimit dhe restoranteve (2,5 %).

Sipas madhësisë shihet se ndërmarrjet e vogla e kanë përballuar me mirë pandeminë. Ndryshe nga grupimet e tjera, ndërmarrjet me 1 deri në 4 të punësuar rriten shitjet me 2.3 % vitin e kaluar.

Rënia e xhiros ishte gjithashtu më e butë në ndërmarrjet me 5-9 të punësuar me rreth 0,9% në krahasim me vitin 2019.

Rënia e shitjeve rezultoi të ishte më agresive në ndërmarrjet 10-49 të punësuar me rreth 7.4% dhe ndërmarrjet e mëdha me mbi 50 të punësuar të cilat shënuan tkurrje të të ardhurave me 7.4%.

Pandemia ndryshoi strukturën e shpërndarjes së të ardhurave dhe punësimit vitin e kaluar. Disa sektorë pësuan rritje të xhiros, fitimit dhe punësimit si rrjedhoje e kërkesës që gjeneroi pandemia. Bizneset e lidhura me TIK dhe kompjuterët shënuan rritje të shitjeve mbi 30% gjatë gjysmës së parë të vitit 2020 si pasojë e zhvillimit në distance të disa aktiviteteve të tilla si arsimi.

Gjithashtu frika për izolime më të gjata, çoi në mbi furnizime me ushqime e për rrjedhojë bizneset e zinxhirit ushqimor në shitjen e me pakicë e shumicë rriten shitjet gjatë pandemisë./ Monitor

Artikulli paraprakAKSIDENT I RËNDË, PËRPLASEN DY AUTOMJETE, HUMBIN JETËN DY PERSONA
Artikulli tjetërFOTO/ PAS 116 VITESH KY QYTET REGJISTROI RESHJE REKORD BORE