Ish kryeministri, Sali Berisha nga Belshi ka folur edhe për largimin e Artan Lames nga posti i kreut të Agjensisë Shtetërore të Kadastrës, duke thënë se ky i fundit, nuk kishte firmosur për marrëveshjen e Portit të Durrësit, të cilën kreu i Rithemelimit e konsideron vjedhje të tmerrshme.
“E shkarkoi Artan Lamen! Boll mëkate ka patur, por një gjë e bëri, nuk fimosi për Portin e Durreësit. Sepse është një vjedhje e tmerrshme që i jepet klanit të Ramës dhe Alabarit 820 mijë metër katrorë, i jepet Porti Shekullor që Rama të bëhet sheik, në një kohë kur ajo është pasuria publike numër 1 e shqiptarëve”-tha Berisha.
Mes të tjerash, Berisha përsëriti akuzat për inceneratorin e Elbasanit, duke thënë se drejtësia nuk po bën hetimet e duhura dhe po mundohet të heqë vëmendjen nga kjo aferë duke kontrolluar shtëpinë e partneres së ish zëvendës kryeministrit Arben Ahmetajt, ku u gjetën 30 mijë euro.
“20 milionë euro nga taksat tuaja janë dhënë për inceneratorin e Elbasanit, që është vetëm një hekurisht sepse nuk digjen plehra, plehrat hidhen në Shkumbin. Drejtësia kontrollon zonjën e Arben Ahmetajt, le ta kontrollojë 100 herë por këtë e bën për t’u hedhur juve hi syve, për të mos hetuar Ahmetajn, Veiajn dhe Ramën si kryesorët në vjedhjen e djegësave”- u shpreh kreu i Rithemelimit.