Po ashtu si edhe për Monika Kryemadhin edhe për kreun e PD, Lulzim Basha, shkarkimi nga detyra i kreut të Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj është bërë me urdhër direkt të Edi Ramës për të shpëtuar Tahirin.
“Ai është zëvendësuar nga një tjetër kamikaze e Edi Ramës. Shkarkimi i kryer me urdhër direkt të Edi Ramës vjen vetëm pak ditë pas materialeve të ardhura nga Greqia dhe Italia dhe pak ditë pas marrjes në pyetje të shoferit të Tahirit.
Ky shkarkim vjen sot kur PD denoncoi mbështetjen që Xhafaj i ka dhënë vëllait të tij, duke mos e arrestuar edhe pse është dënuar në Itali si kreu i një bande të trafikut të kokainës. Po mblidheshin të tjera prova të Tahirit dhe lidhjes së tij me Edi Ramës”, tha Basha.
Kreu i PD u shpreh se Rama po bën gjithçka të shpëtojë Saimir Tahirin dhe lëvizja e fundit, sipas tij, është bërë në shkelje me ligjin, veprim për të cilin Basha thotë se do të mbajë përgjegjësi Arta Marku.
“Emërimi i kamikazes së re të Ramës janë bërë në shkelje flagrante të ligjit. Prokurori i Përkohshëm nuk mund të marrë vendimin që ka marrë sot. Është një vendim i paligjshëm. Prokuroria e Edi Ramës do të mbajë përgjegjësi ligjore për këtë.
Ky vendim është i Edi Ramës që kontrollon plotësisht Markun. E gjithë struktura e prokurorisë tashmë është nën kontrollin e Ramës dhe synimi është mbrojtja e Tahirit, vëllait të Xhafajt dhe Olsi Ramës”, tha Basha.