Gjykata Kushtetuese do të vijojë sot seancën e ndërprerë të dy ditëve më parë për të shqyrtuar vendimin e Kuvendit për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Në seancën e së martës u trajtua pjesa e kërkesave të Presidencës dhe përfaqësuesve të Kuvendit, ndërkohë që Kushtetuesja rrëzoi kërkesat e Metës për dorëheqje ose shkarkim të gjyqtarëve apo edhe që të rivotohej shkarkimi edhe nga Parlamenti i ri.
Seanca do të fillojë në orën 10:00, ndërsa vetëm pak orë para, Meta ka reaguar me një mesazh ‘të koduar’ në Facebook.
“Mirëmëngjes të dashur miq! Kryesorja në jetë të ruajmë 1 dhe të mos e kemi mendjen te shtimi i zero, sepse pa 1 gjithçka zhbëhet në zero absolute”, shkruan Meta.
Çfarë ndodhi në 9 orë seancë më 1 shkurt
Që në fillim të seancës gjyqësore, përmes një kërkese të depozituar Presidenca kërkoi përjashtimin e gjyqtarëve që sipas tyre nuk plotësojnë kushtet ligjore për të qenë pjesë e procesit. Dervishaj ka thënë në argumentimin e tij para gjyqtarëve se Gjykata ka humbur afatin tre mujor për tu shprehur me vendim për ta kaluar apo jo në seancë publike. Sipas tij Presidenti prej 1 korrikut 2021 ka kërkuar që Kushtetuesja ta marr sa më shpejt e të shprehet me këtë çështje, pasi një vendimmarrje e shpejtë do të jepte një proces të rregullt ligjorë.
Presidenca pretendoi se Gjykata se ka shqyrtuar çështjen prej tre muaj duke e transferuar konfliktin nga magjistratura e vjetër tek e reja. Kjo mënyrë e funksionimit të Kushtetueses dhe e gjithë trupa e ka pezulluar apriori afatin pa njoftuar edhe palët në proces dhe ky është një fakt ku kjo trupë s’ka legjitimitet për ta shqyrtuar çështjen.
Ndërkohë që Dervishaj ka thënë gjithashtu se Vitore Tusha, Fiona Papajorgji dhe Përparim Kalo duhet të japin dorëheqjen pasi kanë konflikt interesi për këtë çështje.
“Presidenti s’ka besim tek kjo trupë gjyqësore për të shqyrtojë këtë çështje kaq të rëndësishme. Nëse kushtetuesja do të kishte vullnet për ta shqyrtuar këtë çështje. Do të kishte përfunduar ky gjykim prej kohësh. Nëse do të refuzohet dorëheqja nga ju. Presidenti paraqet kërkesë individuale për dorëheqjen e çdo njërit prej jush dhe është depozituar 25 min përpara se të nis seanca”, ka thënë Dervishaj.
Gjykata Kushtetuese i ka rrëzuar këto kërkesa. Sipas Gjykatës është rrëzuar kërkesa për perjashtimin e gjyqtares Vitore Tusha pasi shkaqet janë të pabazuara. Gjithashtu janë rrëzuar kërkesat edhe për përjashtim të gjyqtarëve të tjerë. Gjithashtu Gjykata Kushtetuese nënvizon se pretendimi i Presidencës për tejkalim të afateve është i pabazuar.
Presidenca gjithashtu ka shtruar pretendimet se votimi i shkarkimit duhet të bëhet nga Kuvendi i ri pasi mandati i atij që e shkarkoi ka mbaruar, se Kuvendi i kaluar ishte jo legjitim etj. Përfaqësuesit Kuvendit e mazhorancës Klotilda Bushka dhe Taulant Balla janë shprehur se Presidenti po tenton të zbarritë procesin. E ndërsa Bushka, shtoi se edhe nëse do të hidhej në votim me Kuvendin e sotme, është e bindur se do të kishte marrë po aq ose edhe më shumë vota kundër tij.
Nëse do të votohej sot mund të marri edhe më shumë vota se sa legjislatura e kaluar shkarkimi i Metës”, tha Bushka.
Vetë Meta nuk ishte i pranishëm në seancë dhe as nuk do të jetë të enjten, por do të vijojë të përfaqësohet nga Këshilltari Ligjor, Bledar Dervishaj dhe Drejtoresha Juridike, Katrin Treska. Nga ana tjetër, PS u përfaqësua nga Taulant Balla dhe Klotilda Bushka. Dervishaj në përfundim të seancës, u shpreh i bindur se nuk do të ketë një shkarkim.
“Nuk ka shkarkim të Metës se nuk ka çështje për shkarkim”, tha Dervishaj.
Që Presidenti të shkarkohet, pro vendimit të Kuvendit duhet të votojnë të paktën 5 anëtarë dhe duhet patjetër të marrin pjesë në votim 6 anëtarë. Gjykata Kushtetuese ka aktualisht 7 anëtarë nga 9 që duhej të kishte gjithsej. Meta është shkarkuar nga Kuvendi më 9 qershor 2021 me argumente të tilla si shkelje të rënda të Kushtetutës, provokim të cenimit të marrëdhënieve me SHBA, shantazh ndaj drejtësisë, thirrje për veprime të dhunshme, nxitje urrejtje, cenim të sigurisë publike etj.
Deputetët e Partisë Socialiste në pushtet ngritën këtë Komision Hetimor parlamentar, i cili gjeti 17 shkelje të Kushtetutës nga ana e Presidentit. Shkarkimin e Metës, Partia Socialiste e ka konsideruar si një nevojë për të “çliruar Presidencën nga një pengmarrje”. Kjo ishte nisma e dytë përmes një komisioni të dytë hetimor që ngrihet për hetimet e shkeljeve kushtetuese për Ilir Metën brenda 2 viteve, ku mazhoranca kërkon shkarkimin e tij nga detyra. Ngritja e këtij Komisionit Hetimor, nuk është njohur nga vetë Meta, i cili përmes zëdhënësit të tij u shpreh se “s’do tolerojë asnjë intimidim nga mafia lokale e ndërkombëtare” dhe se ky vendim ishte antikushtetues dhe antiligjor.
Vendimi i Kushtetueses është një ‘e panjohur’ e madhe e skenës politike shqiptare ende, por rikthimi i Ilir Metës në gjirin e partisë që krijoi tashmë është thuajse i sigurt. Shkarkimi apo jo nga Kushtetuesja vetëm sa do t’ia afronte apo do t’ia largonte me pak muaj rikthimin Metës duke qenë se mandati i tij mbaron më 24 korrik 2022, dhe rizgjedhja as nuk shihet si mundësi.