Avokati i Popullit, z. Igli Totozani i ka dërguar një rekomandim Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Blendi Klosi

lidhur me: – Zbatimin me përpikmëri të legjislacionit të punës në fuqi dhe akteve nënligjore të nxjerra për zbatim të tij, me qëllim moscenimin e të drejtave të punonjësve të institucioneve të përkujdesit social publik, duke ndërprerë marrëdhëniet e punës pa shkak ligjor. Pranë institucionit të Avokatit të Popullit kanë paraqitur ankesë 24 punonjëse, aktualisht pjesë e personelit të Qendrës së Zhvillimit Shkodër. Sipas shpjegimeve të tyre, me shkresën nr.6146 datë 07.12.2015 nga ana e Ministrisë së Mirëqenies Sociale, u janë dërguar rezultatet e testimit pas vlerësimit të njohurive dhe aftësisë të tyre, nga ku ka rezultuar se nga 38 punonjës në total, 24 prej tyre nuk janë kualifikuar. Në ankesën e tyre, 24 punonjësit shprehen se janë me arsimin përkatëse dhe me eksperiencën disa vjeçare dhe nëpërmjet punës së tyre janë përkushtuar që personat me aftësi të kufizuar që trajtohen në këtë qendër të marrin një shërbim sa më cilësor. “Duke marrë shkas nga kjo ankesë, në një hetim më të gjerë që Avokati i Popullit ka kryer, është konstatuar se nga 557 punonjës të institucioneve të përkujdesit social publik, nuk kanë arritur të kualifikohen në testim 173 punonjës. Avokati i Popullit gjykon se testimi, për sa kohë nuk është parashikuar si i tillë në akte normative, nuk duhet të  përbëjë shkak për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës, por të shërbejë për ngritjen e kapaciteteteve, nëpërmjet trajnimeve, kualifikimeve të ndryshme, etj. -Duke iu referuar Kodit të Punës, në asnjë dispozitë nuk parashikohet që ndërprerja e marrëdhënieve të punës mund të bëhet për shkak të moskualifikimit në testime të njohurive”, thuhet në letër rekomandimin e Totozanit.

Artikulli paraprakDetaje të reja për Samsung Galaxy S7
Artikulli tjetërFRANCA DO TË VAZHDOJË GJËNDJEN E ALARMIT