Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të premten më 8 nëntor vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Lazër Çardaku. Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupa e KPK e kryesuar nga Alma Faskaj, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtare Xhensila Pinen. Gjatë seancës dëgjimore të enjten, Komisioni konstatoi pamundësi financiare të prokurorit Çardaku në vlerën totale 1.3 milionë lekë, si dhe ngriti dyshime për pasuri të fshehura – konstatime që u kundërshtuan nga subjekti i rivlerësimit si të pabazuara.
Ai kërkoi që nëse shpjegimet dhe provat e tij nuk do të pranoheshin, të vlerësohej për bilancin negativ bazuar në parimet e objektivitetit dhe proporcionalitetit, duke pretenduar se nuk mund të penalizohej për vlerën 1.3 milionë lekë. Lazër Çardaku e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994 si oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Pukës dhe në 1999-ën është emëruar si prokuror në Shkodër. Ai ka drejtuar Prokurorinë e Matit në vitet 2008-2012 dhe më pas e ka ushtruar funksionin si prokuror i shkallës së parë dhe i Apelit në Shkodër.