Policia spanjolle ka arrestuar një bandë të organizuar shqiptare për trafikimin e klandestinëve nga Spanja drejt Mbretërisë së Bashkuar. Personat transportoheshin me trajler ose me anijet e mallrave, duke vënë në rrezik edhe jetën e tyre.

Garda Civile e Spanjës ka shkatërruar një bandë trafikantësh shqiptarë që transportonin emigrantë të paligjshëm drejt Anglisë.

Operacioni i bashkërenduar me agjencitë britanike, policinë franceze dhe atë europiane solli arrestimin e 9 personave, 8 me kombësinë shqiptare dhe një shtetas brazilian.

Në vendqëndrimet e tyre, autoritetet sekuestruan pajisje telefonike dhe kompjuterike, karta bankare dhe disa dokumente identifikimi e pasaporta të shtetësive të ndryshme.

Operacioni për kapjen e autorëve raportohet se nisi vitin e kaluar, kur në vend po vihej re një rritje e konsiderueshme e numrit të qytetarëve me origjinë shqiptare që shfrytëzonin Spanjën si vend tranziti para se të udhëtonin në klandestinitet drejt Anglisë.

Agjentët arritën të zbulojnë një celulë të organizatës kriminale në provincat mes Bilbaos dhe Sestaos, dhe një tjetër njësi që ndërvepronte me kampet e refugjatëve afër portit të Santurcit.

Pasi u sigurohej infrastruktura e nevojshme për të jetuar në vend, klandestinët transportoheshin nga brigjet veriore dhe ato mesdhetare spanjolle me trajler, kontejnerë ose brenda në bagazhin e makinave të parkuara në anijet e mallrave.

8 shtetasit shqiptarë pritet të paraqiten para gjykatës nën akuzën e krimeve kundër shtetasve të huaj, krimeve kundër rendit socioekonomik, falsifikimin e dokumenteve, përdorimin e kartave të vjedhura të kreditit dhe për administrimin e plantacioneve të marijuanës.

Artikulli paraprakPOLICIA GREKE NDALOI KAMIONIN ME 41 EMIGRANTË
Artikulli tjetërVUÇIÇ BISEDË TELEFONIKE ME RAMËN DHE ZAEVIN