Në orët e para të mëngjesit të sotëm Policia Financiare e Romës me kërkesë të Drejtorisë së përgjithshme Antimafia ka sekuestruar pasuritë e 9 personave të arrestuar si anëtarë të klanit mafioz Casalesi ku bëjnë pjesë dhe 3 shqiptarët Arben Zogu, Orial Kolaj dhe Petrit Bardhi. Pasuritë materiale të sekuestruara janë në vlerë 23 milionë euro. Hetimet ekonomiko-pasurore të Fianncës së Romës, në tetor të 2013 kanë çuar në ekzekutimin e operacionit “Criminal Games” e në shkatërrimin e një grupi kriminal italo-shqiptar me akuzën në pjesëmarrje në organizim mafioz, aktivitet të paligjshëm në sektorin e slot-machine, në armëmbajtje pa leje, vjedhje me dhunë, kërcënim e zhvatje.
Hetimet kishin zbardhur se si ky organizim kriminal i përbërë nga dy grupime; grupi Iovine i klanit Casalesi të mafias napoletane Kamorra e grupi Guarnera në kontakt me bandën romane të Maglianas kishin ngritur një aktivitet ilegal i shtrirë në territorin roman e me aktivitet në sektorin e makinave të fatit. Me kërcënim e dhunë ata ushtroin zotërimin e territorit të qëndrave të lojrave të fatit e të pikave të bastit. Për ta realizuar këtë ata mbështeteshin tek grupi i shqiptarëve i quajur “boksierët” të cilët drejtoheshin nga boksieri shqiptar Orial Kolaj kampion italian e europian në peshëm mesatare.
Në kuadër të këtij hetimi i ekzekutua një tjetër opearcion i Policisë së Romës i koduar “Vento del Est” , i cili zbuloi se grupi Guarnera ishte i përfshirë në një trafik ndërkobmëtar droge i koordinuar nga shqiptari Arben Zogaj i thirrur me pseudonimin “Rikardino”. Hetimet ekonomiko pasurore të Financës së Romës ndaj; Mario Ovine, Salvatore Iovine, Sergio Guarnera, Sandro Guarnera, Franco Crispoldi, Arben Zogu, Fabrizio Diotallevi, Orial Kolaj e Petrit Bardhi çuan sot në ekzekutimin e sekuestrimit të pasurive të tyre materiale në vlerë financiare në 23 milionë euro.