Tre zyrtarët më të lartë të shtetit, kreu i shtetit, Kryeministri, si dhe kreu i Kuvendit kanë shkelur protokollin zyrtar, duke qenë se që të tre ndodhen jashtë vendit në kuadër të vizitave zyrtare në tri shtete të ndryshme. Kështu, në shkelje të protokollit, tre zyrtarët më të lartë të shtetit nuk kanë rakorduar vizitat e tyre jashtë vendit, duke e lënë sot vendin pa asnjë zyrtar të lartë në krye të detyrës.
Kreu i shtetit, Bujar Nishani, ndodhet në Zagreb, Kryeministri Edi Rama në Kinë, si dhe kryeparlamentari Ilir Meta ka udhëtuar drejt Italisë e më pas do të niset për një tjetër vizitë zyrtare drejt Gjermanisë. Ndërkohë që në ceremonialin zyrtar të Republikës së Shqipërisë thuhet se protokolli i shtetit duhet të vihet në dijeni paraprakisht për çdo lëvizje të tre personaliteteve kryesore të shtetit, përkatësisht Presidentit, Kryeministrit dhe Kryetarit të Parlamentit, pasi vizitat duhet të koordinohen që të mos jenë të tre jashtë vendit në të njëjtën kohë. “Protokolli i shtetit vihet në dijeni paraprakisht për çdo lëvizje të tre personaliteteve kryesore jashtë shtetit. Vizitat koordinohen në mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë vendit në të njëjtën kohë”, thuhet në ceremonialin zyrtar. Ky nuk është rasti i parë për qeverinë e drejtuar nga të majtët, ku rasti më i fundit ka qenë ai i para një viti. Por edhe në qeverisjen paraardhëse shkelja e protokollit ka qenë një veprim që bëhej shpesh nga demokratët. Mbi bazën e kësaj, “frenat” e shtetit janë në dorë të zëvendëskryeministrit Niko Peleshi, ku të gjitha institucionet e sigurisë duhet të raportojnë tek ai si kryetar i përkohshëm i shtetit. Ndërsa rezulton se dhe një pjesë e ministrave po kryejnë vizita jashtë shtetit, si ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, apo ai i Transporteve, Edmond Haxhinasto.