Shkëlzen Doli dhe Filarmonia e Vjenës në 2 janar në Tiranë
Tingujt më të bukur të muzikës, magjia e koncertit të fillimvitit të Vjenës, për herë të parë do të shijohet e preket live edhe nga publiku shqiptar. Violinisti Shkëlzen Doli dhe Ansambli i Filarmonisë së Vjenës vijnë me një koncert madhështor në Tiranë, një ngjarje e jashtëzakonshme artistike për kryeqytetin dhe artdashësit shqiptarë. Koncerti do të zhvillohet në datën 2 janar në Pallatin e Kongreseve, një ditë pas koncertit të Filarmonisë së Vjenës. Pas suksesit që pati kabaja e famshme e jugut, ‘Albanian Soul” në koncertin e përvitshëm austriak vitin e kaluar, Shkëlzen Doli prej më shumë se një viti ka nisur të punojë për mundësinë e realizimit të një koncerti me anëtarët e Ansamblit Filarmonik të Vjenës në Tiranë. Kjo nismë artistike ka gjetur mbështetjen e autoriteteve më të larta të dy vendeve, Shqipërisë dhe Austrisë, e që kryesohet nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë si dhe partnerëve të tjerë publikë e private që i janë bashkuar këtij projekti. Ministria e Kulturës e ka vendosur që në krye të herës komunikimin kulturor si mënyrën më të mirë e më të sigurt të integrimit në Europë, duke e futur Shqipërinë në axhendat më të rëndësishme kulturore ndërkombëtare. Ky koncert do të shërbejë për rritjen e bashkëpunimit në botën e artit dhe kulturës por edhe të komunikimit ndërkombëtar, me një theks të veçantë për promovimin e Shqipërisë në rajon dhe më gjerë duke e kthyer vendin tonë në një qendër të re të performancës madhështore të Ansamblit Filarmonik të Vjenës. Organizimi i kësaj ngjarjeje artistike të veçantë promovon më tej vendin tonë, duke rritur mundësitë për të krijuar një klimë më të mirë për investime dhe bashkëpunime të reja në fushën e artit e kulturës, por edhe të mjedisit ekonomik në vend. Koncerti i Ansamblit të Filarmonisë së Vjenës është gjithashtu një frymëzim i fuqishëm për të gjithë artistët e rinj në Shqipëri, por edhe për ata që kanë një karrierë të suksesshme jashtë vendit, duke shërbyer si një thirrje për të kontribuar në jetën artistike të vendit të tyre. Ky koncert do të jetë suksesi tjetër i një mozaiku të jashtëzakonshëm të motiveve të muzikës tradicionale shqiptare të koncertit të Filarmonisë së Vjenës në vitin 2015, nën kujdesin e Shkëlzen Dolit, i cili së fundmi ka drejtuar dhe organizuar tashmë një koncert tërësisht të dedikuar për muzikën tradicionale në bashkëpunim me Ansamblin Kombëtar, në sallën e madhe të Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor.