Ndërsa pandemia e koronvirusit dominoi titujt e mediave për të dytin vit, kriza klimatike vazhdoi të intensifikohej.

Pas inagurimit të presidentit Joe Biden në janar, Shtetet e Bashkuara ndryshuan qëndrimin në lidhje me ndryshimet klimatike, pas katër vitesh mosveprimi nga administrata Trump.

“Sipas mendimit tim, ne kemi pritur shumë gjatë për t’u marrë me krizën klimatike. Nuk mund të presim më”, deklaroi presidenti Biden dhe më pas vendosi një objektiv për uljen e sasisë së ndotjes nga gazet që shkaktojnë efektin serrë në Shtetet e Bashkuara, me 50 për qind deri në vitin 2030.

Profesori i drejtësisë në Universitetin Kolumbia, Michael Gerrard thotë se administrata Biden nisi të ndërmarrë hapa për të arritur këtë objektiv.

“Administrata Biden i është bashkuar marrëveshjes së Parisit për klimën, ka rifilluar procesin e veprimit ndaj ndryshimeve klimatike. Kongresi ka miratuar shumë fonde për të shkuar drejt infrastrukturës energjetike. SHBA është kthyer”, thotë zoti Gerrard.

“Por ka ende një hendek mes aspiratës dhe veprimeve reale që janë realizuar brenda këtij viti të parë”, thotë Rachel Cleetus, nga organizata “Bashkimi i Shkencëtarëve të Shqetësuar”.

Ajo thotë se presidenti Biden ka luftuar në Kongres për agjendën e tij në lidhje me ndryshimet klimatike, por ka lejuar që zhvillimi i karburanteve fosile të vazhdojë.

Sipas ekspertëve, viti 2021 pritet të jetë, ashtu si gjashtë vitet paraardhëse,“viti më i nxehti i regjistruar”.

Temperaturat e larta shkaktuan zjarre nga Siberia, në Amerikë dhe Kanada. Përmbytjet shkaktuan qindra viktima në Kinë dhe Gjermani. Këto ngjarje ekstreme tani po bëhen normale, thotë Joseph Majkut nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

“Ne duhet të përgatitemi për efektet që do të shkaktojnë. Ato do të jenë të dëmshme, por nëse ne bëjmë më të mirën, ato do të jenë të menaxhueshme. Por ne duhet të jemi gati pasi do të ndodhin më shumë ngjarje ekstreme”, thotë zoti Joseph Majkut.

Por shkencëtarët paralajmërojnë se bota po dështon të përballojë kërcënimin. Pas një rënie të shkurtër nga pandemia COVID-19, emetimet e gazeve serrë u rritën në vitin 2021.

Vëzhguesit ishin pesimistë edhe në samitin e klimës të muajit nëntor, që u mbajt në Glasgou.

Shumë vende premtuan ulje të konsiderueshme të emetimeve. Dhe vendet më të pasura ranë dakord të rrisin fondet për klimën për vendet me të ardhura më të ulëta, thotë Helen Mountford, një eksperte mbi çështje të klimës në Institutin e Burimeve Botërore.

“Ne pamë shumë më tepër përparim, sesa shumë prej nesh mendonin se ishte e mundur ndonjëherë. Por në të njëjtën kohë, e vërteta e dytë është se ne thjesht nuk lëvizëm aq shpejtë duke patur parasysh rëndësinë e kësaj sfide”, mendon ekspertja mbi çështje të klimës.

Planeti është ende në rrugën e duhur për të mos arritur nivelet shkatërruese të ngrohjes. Sipas drejtuesit të takimit të OKB-së për klimën, Alok Sharma, vendet u zotuan të kthehen vitin e ardhshëm me premtime më të forta.

“Ndërsa ne kemi arritur, besoj, një marrëveshje historike, ajo për të cilën do të gjykohet nuk është vetëm fakti që vendet kanë nënshkruar, por do të gjykohet nëse ata përmbushin angazhimet”, thotë zoti Alok Sharma.

Fatkeqësitë do të vazhdojnë të intensifikohen ndërsa Toka nxehet, thonë shkencëtarët, por na takon ne të vendosim se sa keq do t’i lëmë gjërat të shkojnë./ VOA

Artikulli paraprakSIMPTOMAT AFATGJATA, HAPET PAVIONI POST-COVID NË SANATORIUM
Artikulli tjetërOBSH NGRE ALARMIN PËR VARIANTIN OMICRON, PËRHAPET DHE INFEKTON TË VAKSINUARIT