Vetëm në pak vite lumi Kir në qytetin e Shkodrës rrezikon të humbasë shumë nga vlerat e tij për qytetin. Prej vitesh, ky lum shumë i rëndësishëm është lënë pothuajse totalisht në harresë. Dëmet e pësuara gjatë 2 dekadave të fundit kanë qenë të mëdha, ndërsa rikuperimi i tyre ka një kosto të konsiderueshme.
Një nga problemet më emergjente janë mbetjet e shumta të hedhura përgjatë gjithë gjatësisë së tij. Sasi të mëdha inertesh janë akumuluar në këtë zonë ku sasia e depozitimeve rritet çdo ditë, pasi institucionet përgjegjëse deri tashmë nuk kanë marrë masa konkrete.
Devijimi i rrjedhës së lumit rrit gjithashtu rrezikun e përmbytjeve të shpeshta në lagjen Ajasëm. Në gjithë këto vite aksionet për pastrimin e tij kanë qenë shumë të pakta krahasuar me nevojën që ka.
Situata vazhdon të rëndohet për fshatrat Kuç, Vukatanë, e lagjet Tepe e Ajasëm pasi shirat e rrëmbyeshëm ne stinën e dimrit fryhen dhe kërcenojne në këtë mënyre të gjithë banorët. Një problem ky i pranishëm prej kohësh i lumit Kir por që akoma nuk ka gjetur zgjidhje nga institucionet përkatëse.
Në asnjë rast lumi nuk është pastruar gjatë gjithë rrjedhës së tij. Ndërhyrjet e vetmë kanë qenë gjatë periudhës së dimrit për të shmangur rrezikun e erozionit. Përtej mungesës së ndërhyrjes institucionale, edhe ndëshkimi i përgjegjësve ka munguar.
Jo rrallë here, në këtë zonë banorët, duke mos pasur zgjidhje tjetër djegin grumbuj të tërë me mbetje.Ndërkohë kolektori i ujërave të shiut është mbuluar nga mbetje të ndryshme përgjatë gjithë gjatësisë së tij.
Sasia e madhe e mbetjeve aty ka shkaktuar një situatë të rëndë saqë rrezikohet përhapja e ndonjë epidemie kur ka nisur rritja e temperaturave.