12 korriku i këtij viti shënon 10-vjetorin e ndarjes nga jeta të dom Simon Jubanit, kleriku i cili kremtoi meshën e parë të rikthimit të lirisë së besimit në Shqipëri në varrezat katolike të Rrmajit më 11 nëntor 1990. Në katedralen “Shën Shtjefni” në Shkodër është vendosur kjo fotografi në përkujtim të kësaj figure të madhe i cili rrezikoi edhe jetën.
Famullitari i Shkodrës dom Vlash Palaj shprehet se në këto 10 vite nuk është ndjerë mungesa e dom Simonit për shkak të veprës së tij të madhe që ka lënë.
Figura e Dom Simon Jubanit dhe e gjithë jeta e tij është i veçantë shprehet famullitari i Shkodrës për shkak se dom Simoni u shugurua prift në një kohë kur meshtarët e tjerë po pushkatoheshin nga regjimi komunist i asaj kohe.
Dëshira e madhe e dom Simon Jubanit për një Shqipëri tjetër, ndryshe nga ajo e pas viteve ’90 për të cilën nuk ishte asnjëherë dakord nuk është realizuar.
Fillimisht më 4 nëntor të 1990 në varrezat e Rrmajit dom Simon Jubani kremtoi një meshë në praninë e pak personave ndërsa një javë më pas më 11 nëntor u kremtua mesha në të cilën morën pjesë mbi 50 mijë qytetarë të të gjitha besimeve dhe që bëri jehonë ndërkombëtare. Dom Simon Jubani u nda nga jeta më 12 korrik të vitit 2011 në moshën 84 vjeçare.