Një 49 vjeçar është bërë pre e një sulmi me armë. Makina në të cilën ndodhej shtetasi Alban Lukaj, 49 vjeç është qëlluar me breshëri plumbash. Drejtuesi i mjetit më përpara është ulur në tokë nga autorët dhe më pas ata kanë qëlluar ndaj mjetit me të cilin po lëvizite. 49 vjeçari nuk është plagosur pasi ndodhej jashtë makinës.
Ngjarja ka ndodhur sipas policisë vendore të Shkodrës rreth orës 6:15 të mëngjesit të sotëm në rrugën e fshatit Darragjat pjesë e njësisë Dajç në bashkinë Shkodër. Alban Lukaj kishte dalë herët nga shtëpia e tij dhe ka marrë makinën e një kushëriri tip benz me targë SH 0320 E për të shkuar tek disa të afërm të tij. Papritur sipas 49 vjeçarit dy persona me motorr i kanë dalë parë.
Fillimisht i kanë kërkuar që të ulet nga makina dhe më pas e kanë kërcënuar duke i drejtuar armën automatika kallashnikov në kokë. Më pas autorët e kësaj ngjarje sipas asaj që ka rrëfyar 49 vjeçari kanë qëlluar në drejtim të mjetit dhe më pas janë larguar me shpejtësi. Autorët kanë qenë me skafanda në kokë dhe Alban Lukaj nuk ka arritur që t’i identifikojë ndërsa kanë ikur në drejtim të paditur. Menjëherë pas kësaj ngjarje 49 vjeçari ka njoftuar policinë vendore të Shkodrës.
Efektivët kanë mbërritur në vendngjarje duke bërë hetimet e para. Sipas burimeve në drejtim të mjetit janë qëlluar 11 plumba duke dëmtuar xhamat e këtij mjeti. Shtetasi Alban Lukaj ka deklaruar se ai nuk e ka idenë përse ka ndodhur kjo ngjarje sepse ai thotë se nuk ka asnjë konflikt me persona të tjerë apo probleme të ndryshme për të cilat mund të dyshojë.
Megjithatë policia ka nisur punën për identifikimin e autorëve edhe pse do të jetë e vështirë për shkak se në rrugë nuk ndodhej askush dhe në atë aks nuk ka as kamera sigurie ashtu siç nuk ka as banesa afër vendit ku ndodhi ngjarja. Disa prej banorëve deklaruan se ata nuk i kanë dëgjuar të shtënat.