Për të dytën ditë janë shënuar 13 raste të reja të personave ditorë të infektuar me koronavirus në qarkun Shkodër. Vatrat e infeksionit janë zgjeruar me 12 raste në bashkinë Shkodër ndërsa vetëm 1 rast është konfirmuar në bashkinë Malësi e Madhe. Të infektuar aktivë janë rreth 900 qytetarë në pesë bashkitë e qarkut. Të shtruar në spitalin rajonal të Shkodrës janë 15 pacientë, dy më shumë se një ditë më parë.
Në reanimacion janë të shtruar 5 pacientë, ndërsa 10 të tjerë janë të shtruar në repartin infektiv. Institucionet shëndetësore në Shkodër apelojnë qytetarët që të ruajnë distancën fizike dhe të vlerësojnë në kohë simptomat e koronavirusit, në mënyrë që përmes mjekimit të shkëpusin zinxhirin e infektimit.
Çdo ditë, sipas një plani të mirë përcaktuar Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor monitoron subjekte të ndryshme në Shkodër për zbatimin e protokollit anti – COVID. Ndërsa kryerja e testimeve vijon normalisht, ku mesatarisht testohen 100 qytetarë në ditë si të dyshuar me COVID-19. Prej një jave janë konfirmuar më shumë se 100 raste të reja me koronavirus në pesë bashkitë e qarkut. Krahasuar me të njejten përiudhe të muajit mars, situata duket drejt përmirësimit, jo vetëm në qarkun Shkodër por në të gjithë vendin.