Në Shkodër është përkujtuar 2-vjetori I vendosjes së memorialit që përkujton torturat e regjimit të egër komunist ndaj të përndjekurve politik. Datat 20 deri më 23 maji tashmë cilësohen si ditët e përkujtimit të qëndresës ndaj persekucionit të pothuajse 50 viteve nga diktatori Enver Hoxha dhe regjimi i tij.
Kryetarja e bashkisë Shkodër Voltana Ademi e cilësoi këtë ditë si historike dhe ditë krenimi për qëndresën në emër të lirisë dhe demokracisë.
Presidenti I Shoqatës “Për paqe dhe drejtësi”imzot Angelo Massafra kërkoi të vlerësohen sa duhet martirët e demokracisë.
Kryetari i shoqatës së të përndjekurve të Shqipërisë Nebil Çika hodhi akuza të forta për qeverinë aktuale duke thënë se po përballemi me një diktaturë të dytë.
Luigj Mila, drejtues I komisionit për “Paqe dhe Drejtësi” tha se historia duhet të trashëgohet tek brezat e rinj në mënyrë që të gjithë të njohin sakrificat e bëra në emër të lirisë.
Memoriali i vendosur në qendër të qytetit të Shkodrës dy vite më parë nuk është vetëm për të përkujtuar persekucionin por edhe qëndresën e fortë e atyre qindra mijëra shqiptarëve që u vranë, u torturuan, u burgosën dhe masakruan nga regjimi totalitar monist.