Ishte vit i largët 1868 kur në Genova të Italisë, Eugenia Ravasco me ndihmën e priftit Salvatore Magnasco themeloi kongregaten e Bijave të Zemrave të Shenjta të Jezusit dhe Marisë.
Me kalimin e viteve kongregata u rrit qoftë numerikisht qoftë edhe sa i përket shtrirjes territoriale. Në vitin 1994 motrat Ravasco vendosen edhe në Shqipëri në Shkodër duke vijuar me misionin e tyre për 25 vite me radhë, kontribut i cili mori vlerësimin e arqipeshkëvit të Shkodrës Angelo Massafra
Vitet 90’ për Shqipërinë ishin të vështira. Populli ishte i varfër jo vetëm ekonomikisht por edhe shpirtërisht por motrat misionare Ravasco që prej vitit 1994 shërbejnë me dashuri për popullin e vuajtur shqiptar ndërsa tregojnë se shërbesa në Shqipëri i ka bërë që të njohin një popull me zemër të madhe….
“Vitet në Shqipëri janë vitet e ëndrrave të mia, unë kam dashur që të jem gjithmonë misionare edhe pse me pak vonesë dhe vendosa të jem pjesëmarrëse e këtij misioni dhe u bëra ndër murgeshat e para dhe jam shumë e kënaqur që jam pjesë e motrave Ravasco. E kam bërë me shumë zemër dhe më falni për të gjithë gjërat që është dashur të bëjmë dhe nuk i kemi bërë. Unë e di që ne duhet të përmirësohemi në punën dhe misionin tonë.
Në Shkodër dhe Shqipëri ka shumë gjëra speciale dhe jam shumë e kënaqur që jam këtu. Jemi të lumtur sepse Zoti mendon për të gjithë. Jeta është e mrekullueshme dhe mundohuni ta njihni veten brenda saj në lidhje me Zotin. Është një oqean i pafund sepse mirësinë e kanë të gjithë. Secili duhet ta gjejë në vetveten e tij. Më bëhet qejfi që gjithsecili të gjejë lumturinë e tij”.
“Unë mund të tregoj atë që më kanë treguar. Në 15 ditët e para unë kam bërë kuzhinieren. Unë kam parë diçka të tmerrshme në Shqipëri në ato vite, një popull i shkatërruar dhe fëmijët të uritur. Kam qenë në kuzhinë dhe e mbaj mend se si fëmijët më qëndronin afër dhe më thonin, dua të ha, dua të ha. Më merrnin fëmijët çdo ushqim që kisha në dorë dhe kam parë këtë gjë të tmerrshme.
Kam parë edhe motrat që jetonin në kushte ekstreme të varfërisë por ne ishim të lumtura dhe të gëzuar sepse kishim misionin tonë. Këtë të mirë e kemi bërë vetëm falë misionit tonë, pa shumë zhurmë dhe kjo është diçka shumë e mirë e motrave Ravasco. Jam shumë e lumtur që kam shërbyer në këto 25 vite”.
“Kjo ka qenë një shkollë për mua, një shkollë për jetën time sepse kam mësuar shumë. Kam qëndruar me njerëz shumë më shumë se më përpara sepse kontakti i afërt me njëri-tjetrin të ndihmon më shumë ndaj them se është një shkollë më vete ky mision. Kam mësuar diçka speciale në Shqipëri, dashurinë për njerëzit sepse kam marrë shumë nga gjithsecili.
Kam mësuar thjeshtësinë tuaj dhe kam mësuar të jetoj në një mënyrë atë çfarë ke ta ndash me të tjerët. S’ka nevojë për shumë gjëra, mjafton një fjalë, të jesh njerëzore, human dhe të jetosh me problemet ose lumturinë e njerëzve të tjerë”.
Motrat Ravasco në qytetin e Shkodrës ofrojnë shtëpi familje për fëmijët në nevojë, ofrojnë qendra multifunksionale për fëmijët dhe të rriturit dhe ambjente konvikti për vajzat. Këto janë vetëm një pjesë e vogël e misionit që këto motrat Ravasco kanë ndërmarrë në vendin tonë prej 25 vitesh, mision i cili do vazhdojë pa ndërprerje.