Vijon të rritet numri I personave të infektuar me COVID-19 në qarkun Shkodër. Ministria e Shëndetësisë në 24 orët e fundit konfirmoi edhe 27 raste të reja, 12 më shumë se një ditë më parë. Vatrat e infeksionit u zgjeruan me 17 raste në bashkinë Shkodër, 6 raste në bashkinë Pukë, 3 në Malësinë e Madhe dhe vetëm një rast në bashkinë Pukë.
Aktualisht, në nivel qarku janë 1015 raste aktive. Në spitalin rajonal të Shkodrës janë të shtruar 15 pacientë të infektuar me koronavirus, 2 më pak se një ditë më parë. Në reanimacion janë të shtruar 7 pacietë, ndërsa të tjerë në repartin infektiv.
Qarku i Shkodrës vijon të rënditet i pesti për nga numri i rasteve aktive të infektuara me virus duke mbetur pas Tiranës, Fierit, Durrësit dhe Vlorës. Ndërkohë fatkeqësisht është shënuar edhe një tjetër viktimë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u drejtohet qytetarëve të mos neglizhojnë asnjë shenjë të sëmundjes dhe të kontaktojnë për çdo dyshim me mjekun e familjes për të kryer testimin si dhe për ndjekjen dhe trajtimin ambulator në banesë, dhe të vijojnë të zbatojnë rregullat për parandalimin e COVID19.