29 vite më parë, një 17 vjeçar në tentativë për t’u larguar në kërkim të lirisë u vra në kufi nga ushtarët e regjimit monist.
Ishte 16 qershori i vitit 1990 kur Pëllumb Pëllumbi u qëllua për vdekje vetëm se po tentonte të kalonte kufirin. Sot pas 29 vitesh shoqata 16 qershori përkujtoi vrasjen e Pëllumb Pëllumbit por edhe dhjetra të tjerëve në gjithë Shqipërinë të vrarë në kufi.
Ish-kryetari i parë i bashkisë Shkodër pas viteve ’90 Filip Guraziu shprehet se ajo që ndodhi me ata që tentuan të kalonin kufirin ishte një mizori. Ushtarët e komunizmit nuk kursyen as fëmijë 9 vjeçarë duke i vrarë bashkë me prindërit.
I pyetur se a ka përgjegjësi edhe ish-Presidenti dhe ish-kryeministri Sali Berisha si ish-kryetar i PD, Guraziu nuk e përjashton as Berishën nga përgjegjësia për mungesën e faljes ndaj kësaj shtrese dhe ndarjen me të kaluarën.
Sa i përket përgjegjësi që mund të ketë Partia Demokratike gjatë kohës kur kishte pushtetin për gjetjen e trupave të vrarë në kufi apo mbështetjen e ish-të përndjekurve, Guraziu tha se nuk është rasti sot për të folur.
Pëllumb Pëllumb pasi u vra në kufi, trupi i tij kufomë u vendos në një makinë dhe mizorisht përshkoi rrugët kryesore të qytetit gjë e cila revoltoi shkodranët të cilët këtë revoltë e shprehën pasditen e asaj dite të 16 qershorit 1990 ndërsa një numër i konsiderueshëm morën pjesë në ceremoninë e varrimit.