Disa detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e djeshme ku u gjet i pajetë trupi i 37 vjeçares Leze Qosa në një kanal në afërsi të By Pass-it të Shkodrës. Burime pranë prokurorisë, policisë dhe spitalit të Shkodrës bëjnë me dije se dyshimet e para të efektivëve se 37 vjeçarja kishte shenja dhune kanë rënë poshtë. Pas autopsisë në spitalin rajonal të Shkodrës rezulton se Leze Qosa ka disa hematoma të vogla në trup por që mendohet se nuk janë ato që kanë shkaktuar vdekjen e saj duke bërë që pista e një vrasje të mundshme të bie poshtë.
Tashmë janë të paqarta arsyet e ndarjes nga jeta të 37 vjeçares dhe për këtë janë dërguar drejt Tiranës në një laborator të specializuar analizat për të nxjerrë shkaqet e vdekjes. Tashmë dy janë dyshimet që ka policia dhe prokuroria lidhur me vdekjen e Leze Qoses. Sipas dyshimeve vdekja e saj mund të jetë ose nga një vetëhelmim ose mund të kemi të bëjmë edhe me një vdekje natyrale.
Leze Qosa ishte larguar nga banesa ku jetonte me motrën e saj që nga data 8 maj e këtij viti në mënyrë të pakuptimtë duke mos u kthyer më gjë e cila ka shqetësuar familjarët. Pas 10 ditësh nga largimi në mënyrë të papritur, motra e 37 vjeçares me 18 maj bëri një denoncim në policinë vendore të Shkodrës duke treguar se motra e saj ishte larguar dhe nuk ishte kthyer më duke ngritur dyshime se diçka mund të kishte ndodhur. Ndër të tjera motra e 37 vjeçares deklaroi se Leze Qosa vuante nga depresioni dhe kjo mund të jetë një prej arsyeve që ka çuar 37 vjeçaren në veprime të pakontrolluara.
Trupi i pajetë u gjet i dekompozuar dhe mendohet se kishte rreth 5 dite që ndodhej në kanalin në afërsi të By Pass-it të Shkodrës ku u gjet nga policia. Ka qenë një telefonatë pasditën e 31 majit që njoftoi policinë për një trup të pajetë në By Pass duke rezultuar se kemi të bëjmë me shtetasen Leze Qosa. Tashmë pritet ardhja e analizave nga Tirana për të nxjerrë shkaqet e plota që çuan në humbjen e jetës të shtetases Leze Qosa nga Tropoja por që jetonte në lagjen Dobraç në Shkodër në një banesë me motrën e saj.