Mëngjesin e kësaj të shtune, si shkak I infektimit me COVID-19 humbi jetën në spitalin rajonal të Shkodrës gazetarja e njohur shkodrane Anila Dushi, e cila është pjesë e medias prej 28 vitesh. Ndarja nga jeta e gazetares Anila Dushi ka hidhëruar jo vetëm familjarët, të afërmit, komunitetin e gazetarëve, por çdo person që ka njohur nga afër Anilën.
Nga ana tjetër situata e krijuar nga përhapja e pandemisë COVID-19 nuk njeh përmirësim në Shkodër. 47 raste të reja dhe një viktimë u kofirmuan nga Ministria e Shëndetësisë në 24 orët e fundit. Vatrat e infeksionit u zgjeruan me 33 raste në bashkinë Shkodër, 6 në Pukë, 5 në Malësinë e Madhe dhe 3 raste u konfirmuan në bashkinë Fushë – Arrëz.
Të shtruar në spitalin rajonal aktualisht janë 17 pacientë. 11 pacientë janë të shtruar në repartin infektiv, ndërsa 6 të tjerë në reanimacion. Institucionet shëndetësore në Shkodër apelojnë qytetarët që të ruajnë distancën fizike dhe të vlerëosjnë në kohë simptomat e koronavirusit, në mënyrë që përmes mjekimit të shkëpusin zinxhirin e infektimit.
Çdo ditë, sipas një plani të mirë përcaktuar Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor monitoron subjekte të ndryshme në Shkodër për zbatimin e protokollit anti – COVID.