Policia e Shkodrës vuri në pranga Lush Pjollaj, sot 42 vjeç, në arrati prej vitit 2012, i akuzuar për vrasjen e Marash Tonaj, 49 vjeç, në fshatin Vuksanaj të komunës Shalë në zonën e Dukagjinit. Vrasja e Tonajt u bë për motive gjakmarrje, pasi vëllai i tij, Nik Tonaj, në 13 korrik të vitit 2003, kishte vrarë prindërit e Lush Pjollaj, Nik dhe Lula Pjollaj, të cilët lanë jetim gjashtë fëmijë, dy djem dhe 4 vajza.
Vrasja në atë kohë u mor përsipër edhe nga vajza e çiftit, Lena Pjollaj, e cila tha se mori gjakun e prindërve të saj pasi shteti për 9 vjet në atë kohë nuk mundi të kapë autorin, i cili vijon ende të jetë në arrati, Nikë Tonaj.
Krimi është bërë në bashkëpunim nga motër e vëlla, Lena dhe Lush Pjollaj, ky i fundit i arrestuar këtë të mërkurë, ndërsa motra e tij ndodhet në burg prej vitit 2012.Konflikti mes dy familjeve Pjollaj dhe Tonaj ka nisur për vijën e ujit për vaditje ku dy palët pretendonin të kishin radhën e vaditjes.
Në kushte të vështira të terrenit dhe të motit, Policia arrestoi të shpallurin në kërkim Lush Pjollaj i cili fshihej në një banesë në fshatin Vuksanaj të Dukagjinit. Ai është dënuar në vitin 2013 nga Gjykata e Shkodrës me 23 vjet burgim për veprën penale “Vrasja me paramendim”. Më 12 shtator 2012 në lagjen Pjollaj të fshatit Vuksanaj, ai ka vrarë me armë zjarri Marash Tonaj 56 vjeç për motive të gjakmarrjes.
.