Një tjetër aksident rrugor ka ndodhur në Shkodër, këtë radhë pa pasoja. Një kamion me targa malazeze ka përplasur një person që i preu rrugën me motoçikletë pasi doli nga një aks dytësor. Aksidenti ndodhi në unazën perëndimore. Sipas burimeve i aksidentuari ka marrë disa plagë por është jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje mbërriti një ambulancë që bëri transportimin e tij dhe policia e cila vijon hetimet për zbardhjen e plotë të këtij aksidenti. Ndërkohë banorët tregojnë se janë të shqetësuar sepse në unazën perëndimore aksidentet janë kthyer në një shqetësim.
Banori Zenel Drangu thotë se janë mbi 10 aksidenti në një kohë të shkurtër me 4 viktima deri më tani. Ai ka kërkuar që aty të vendosen kufizues shpejtësie por kjo kërkesë e tij nuk është marrë parasysh.
Ndërkohë nxënësit e shkollës shprehen se janë të rrezikuar sa herë kalojnë aty sepse mjetet motorike nuk ndalen kur ata kalojnë në vizat e bardha për të shkuar në shkollë.
Aksidentet në Shkodër vijojnë të jenë një shqetësim teksa një ditë më parë dy të rinj 20-vjeçar humbën jetën në aksin Shkodër-Malësi e Madhe teksa u përplasën me dy mjete të tjera.