“Arrest me burg” ka dhënë gjykata e shkallës së parë në Shkodër për shtetasin Hydajet Mehmeti i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e shtetasit Ridvan Hyseni, ngjarje e ndodhur në 28 nëntor 2020 në fshatin Mushan të njësisë Dajç. Viktima dyshohet se është qëlluar nga Duel Mehmeti, vëllai i të arrestuarit, shtetasit Hydajet Mehmeti.
Në sallën e gjyqit i dyshuar nuk ka pranuar që të japë asnjë sqarim lidhur me ngjarjen duke pritur që të njihet me provat dhe aktet e ekspertimit që ka prokuroria. Prokurori i kësaj çështje Saimir Bahiti ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasi Hydajet Mehmeti pasi dyshohet se 34 vjeçari ka qenë shoferi i mjetit në të cilin ndodhej edhe vëllai i tij që kreu vrasjen.
Në sallën e gjyqit avokati mbrojtës Arbër Raja kërkoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për shtetasin Hydajet Mehmeti pasi ai ka qenë thjeshtë drejtuesi i makinës dhe jo personi që ka qëlluar. Në fund të seancës gjykatësja Irida Kacerja ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasin Hydajet Mehmeti i cili është i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e Ridvan Hysenit bashkë me vëllanë e tij.
34 vjeçari u arrestua pak ditë më parë nga policia vendore e Shkodrës teksa ndodhej në një lokal në fshatin Mushan të njësisë Dajç afër banesës së tij duke pirë një kafe bashkë me disa persona të tjerë.
Në 28 nëntorin e vitit të kaluar autorët e dyshuar ndoqën nga pas mjetin ku ndodhej shtetasi Ridvan Hyseni dhe pas një debati që kishin patur, dyshohet se shtetasi Duel Mehmedi qëlloi me një automatik kallashnikov Ridvan Hysenin duke e lënë të vdekur brenda mjetit të tij. Autori kryesor i kësaj vrasjes që dyshon policia vijon të jetë në kërkim.