Policia vendore e Shkodrës ka arrestuar dy shtetas pasi njëri ka ushtruar dhunë ndaj ish-bashkëshortes ndërsa një tjetër ka tentuar që ta godasë me thikë. Kështu efektivët kanë vënë në pranga shtetasin Fatmir Leka, 27 vjeç banues në lagjen “Liria”. 27 vjeçari u arrestua në flagrancë në lagjen “Vasil Shanto” në Shkodër në mjediset e një lokali pasi ka ushtruar dhunë ndaj ish bashkëshortes së tij, një 27 vjeçare banuese në Shkodër.
Tashmë dhunuesi Fatmir Leka dyshohet për veprën penale “dhunë në familje”. Kanë qenë disa persona të cilët kanë njoftuar policinë vendore pas dhunës që 27 vjeçari po ushtronte ndaj ish-bashkëshortes së tij. Pas informacionit të marrë në rrugë operative nga qytetarët policia vendore e Shkodrës ka mbërritur në vendngjarje duke bërë arrestimin e menjëhershëm të shtetasit Fatmir Leka i cili në ato momente po ushtronte dhunë ndaj ish-bashkëshortes së tij.
Rasti i dytë i dhunës në familje është shënuar pak orë më përpara në lagjen “Tre Heronjtë” në qytetin e Shkodrës. Policia vendore ka arrestuar shtetasin Kolë Zymeri, 41 vjeç banues në Shkodër. Efektivët përveç arrestimit i kanë sekuestruar edhe një thikë 41 vjeçarit.
Kështu policia në njoftimin e saj thotë se me arrestimin e shtetasit Kolë Zymeri është parandaluar një ngjarje e rëndë kriminale brenda familjes nga reagimi i shpejtë i efektivëve duke bërë të mundur arrestimin në flagrancë të 41 vjeçarit i cili ka kanosur dhe ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, shtetases T.Z 38 vjeçe.
Policia në njoftim bën të ditur se arrestimi i Kolë Zymerit u bë sepse pa dhunës fizike ai ka kanosur me thikë bashkëshorten e tij duke tentuar që ta godasë. Edhe për këtë rast policia ka marrë informacion në rrugë operative dhe ka mbërritur menjëherë në vendngjarje duke bërë arrestimin e 41 vjeçarit dhe duke sekuestruar thikën me të cilën ka kanosur bashkëshorten e tij.
Shtetasi Kolë Zymeri dyshohet për veprat penale “Dhunë në Familje”, “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”. Rastet e dhunës së familje vijojnë të jenë një problem në Shkodër teksa numri i dhunuesve është duke u rritur duke u kthyer në një fenomen problematik.