Policia Vendore e Shkodrës ka finalizuar operacionin policor “Mision i pamundur” duke parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale. Policia e Shkodrës ka dyshime të forta se shtetasi Gentian Bajramaj që u arrestua po vinte drejt Shkodrës për të kryer një vrasje. 48 vjeçari me origjinë nga Vlora por banues në Tiranës teksa po vinte drejt Shkodrës mbante me vete një armë dhe motomjet pa targa.

Në momentin e ndalimit policia i ka sekuestron një armë zjarri automatik “Scorpion” me silenciator dhe 20 fishekë, me të cilën dyshohet se do kryente një vrasje. Policia bën të ditur se dyshohet se ky shtetas është përdorur nga grupe të ndryshme kriminale për vrasje me pagesë. Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, pas informacioneve të marra në rrugë operative për një shtetas që qarkullonte me një motomjet pa targa i cili

kishte armë me vete dhe dyshohej se mund të kryente një vrasje të porositur, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Mision i pamundur”. Falë ndërhyrjes në kohë, në fshatin Guri i Zi, forcat e Policisë, në bashkëpunim me forcat “Shqiponja”, kanë bërë të mundur kapjen e shtetasit Gentian Bajramaj, 48 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për mashtrim dhe dhunë në familje.

Në momentin e kapjes, këtij shtetasi, në një çantë krahu që mbante me vete i është gjetur një armë zjarri automatik “Scorpion” me silenciator dhe 20 fishekë luftarak. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar arma e zjarrit dhe motomjeti pa targa. Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër vijon puna për zbardhjen e arsyes së qarkullimit me armë zjarri me silenciator dhe motomjet pa targa.

Për momentin 48 vjeçari ka mbi supe vetëm veprën penale të “armëmbajtjes pa leje”. Në deklarimet e para gjatë marrjes në pyetje 48 vjeçari ka mohuar se po vinte drejt Shkodrës për të kryer vrasje. Ai ka thënë se po udhëtonte për në Shkodër për shkak se një person i kishte para borxh.

Lidhur me armën, 48 vjeçari ka deklaruar se e mbante me vete për vetëmbrojtje. Kjo alibi është e pabesueshme për policinë e Shkodrës e cila vijon hetimet lidhur duke patur dyshime të forta se arsyeja e ardhjes në Shkodër të Gentian Bajramaj ishte për të kryer ndonjë vrasje si porosi e ndonjë grupi kriminal të mundshëm. Policia deri më tani nuk ka arritur t’i mësojë këto detaje dhe mbetet ende në kuadrin e dyshimeve.

Artikulli paraprakBASHA NË VELIPOJË: PD DO TË ULË TAKSAT
Artikulli tjetërPJESË E GRUPIT KRIMINAL TË TRAFIKUT TË DROGËS DHE AUTOR I TË SHTËNAVE ME ARMË ZJARRI, SHQIPTARI ARRESTOHET NË BARI