Elton Radovani, djali i ish prefektit të Shkodrës Paulin Radovani është arrestuar nga policia e Paraguajit që me 3 tetor ndërsa tashmë pritet ekstradimi i tij drejt Shqipërisë. Djali i ish prefektit bashkë me babain e tij dhe vëllain janë të përfshirë në një skemë borxhesh dhe mashtrimesh që është përllogaritur në rreth 13 milion euro në total. Policia e Paraguajit bëjnë të ditur mediat atje e kanë arrestuar 31 vjeçarin pasi është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli.
Sipas mediave në Paraguaji nisur nga dosja e çështjes urdhëri i arrestit ndërkombëtar ishte për shkak të krimeve të mashtrimit bankar dhe financiar dhe u vu në dispozicion për qëllime ekstradimi drejt Shqipërisë. Elton Radovani është arrestuar me 3 tetor në Paraguaj rreth orës 11:00 në një autostradë atje dhe tashmë pritet ekstradimi drejt Shqipërisë.
Ndaj tij, të vellait Robert Radovani dhe babait të tyre Paulin Radovani, ish prefekt vazhdojnë seancat dhe hetimet për mashtrim dhe borxhe të pashlyera që shkojnë në shifra marramendëse. Që pas nisjes së kësaj çështje, dy djemtë e ish prefektit u arratisën nga Shqipëria në drejtim të paditur por pas rreth 8 muajsh nga nisja e hetimeve Elton Radovani u arrestua në Paraguaj ndërsa ende është e paqartë se ku ndodhet vëllai i tij Roberti sepse edhe për të ka një urdhër arresti ndërkombëtar.
Paulin Radovani një biznesmen i njohur për 30 vite por edhe një pjesë e politikës lokale në Shkodër fillimisht me PD dhe në vitet e fundit me LSI, pas borxheve të marra nga dy djemtë e tij me fajde tek persona të ndryshëm në Shkodër dhe i gjendur në vështirësi duke mos mundur t’i kthejë mbrapsht ato para iu drejtua prokurorisë duke paditur ata që i kishin dhënë para me fajde.
Policia arrestoi fillimisht 12 persona në kuadër të operacionit “Maranaj” dhe për ta gjykata vendosi “arrest me burg” por një pjesë e tyre janë liruar dhe disa të tjerë vijojnë të jenë në paraburgim duke mos pranuar se kanë kërcënuar ish prefektin apo dy djemtë e tij. Gjykata ka hapur një çështje për dy djemtë e ish prefektit të akuzuar për mashtrim.