Prej dy ditësh videot e dy vajzave nga Shkodra kanë bërë gjiron në rrjetet sociale, teksa njëra prej tyre shihet duke dhunuar, duke i bërë presion dhe kërcënuar tjetrën për shkak të një marrëdhënie me të dashurin e saj. Pasi këto video u bënë virale në Shqipëri duke u shpërndarë gjerësisht, policia vendore e Shkodrës ka bërë të mundur arrestimin e shtetases me inicialet M.Gj e cila duket në video duke goditur personin tjetër të cilën më përpara e kishte patur shoqe.
Ka qenë vetë shtetasja e dëmtuar B.Rr e cila është pyetur nga policia pas videove të shpërndara dhe ka treguar të gjithë historinë se si është goditur sistematikisht për disa ditë e po ashtu se si është kërcënuar. Policia e Shkodrës bën të ditur se 30 vjeçarja M.Gj përveçse e ka dhunuar dhe kërcënuar po ashtu edhe e ka filmuar me celular duke bërë më pas shpërndarjen e videos në rrjetet sociale.
Sipas policisë ngjarja ka ndodhur në datën 18 gusht të këtij viti ku shtetasja M.Gj ka goditur ish-shoqen e saj B.Rr. 30 vjeçarja që u arrestua është e dyshuar për veprat penale “Kanosja”, “Dëmtime të tjera me dashje” dhe “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”. Në fakt historia ka nisur pas një marrëdhënie intime mes shtetasit N.M dhe shtetases B.Rr.
Kjo marrëdhënie është kuptuar nga e dashura, shtetasja M.Gj e cila pasi ka marrë vesh se pas presioneve të të dashurit të saj, shoqja e përbashkët ka përfunduar në një marrëdhënie intime. Vajza e dhunuar B.Rr e cila fimohet në disa video të ndryshme, ka pranuar këtë marrëdhënie gjë për të cilën më pas është dhunuar nga shtetasja M.Gj e cila u arrestua nga policia.
Është ende e paqartë se si këto video kanë përfunduar duke u publikuar në rrjete sociale. Ky është një rast i cili tregon një problematikë e cila po përhapet gjithnjë e më shumë duke u kthyer kështu në një fenomen social shqetësues edhe në qytetin e Shkodrës. Rastet e të rinjve që përfundojnë në këtë lloj mënyre po njohin një rritje e po ashtu edhe numri i vajzave të cilat abuzohen apo pranojnë të shkojnë në këtë rrugë është në rritje, kjo edhe për shkak të disa problemeve sociale.