Vllaznia në basketboll për meshkuj është rikthyer tek fitoret në kampionat pas disfatës që pësoi në Kupën e Shqipërisë duke humbur në ndeshjen finale ndaj Goga Basket.
Shkodranët në takimin e kampionatit të luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” fituan 109-65 ndaj ekipit të Eagle Basket. Vllaznia këtë përballje ndaj një kundërshtari pa pretendime e ktheu në një ndeshje stërvitore teksa trajneri Darko Vujaçiç i dha më shumë minuta lojtarëve që nuk janë aktivizuar aq shumë deri më tani. Zëvendës trajneri Ervin Bërdica shprehet se Vllaznia mori një fitore të lehtë.
Zëvendës trajneri Bërdica foli edhe për ndeshjen finale të Kupës me Goga Basket që Vllaznia e humbi pak ditë më parë duke thënë se kuqeblutë në dy pjesët e dyta të lojës u shpërqëndruan duke e humbur finalen ndërsa nuk zbatuan as detyrat e dhëna nga stafi teknik.
Vllaznia do të vijojë luftën për titullin kampion duke kërkuar që të sigurojë trofeun më të rëndësishëm të sezonit edhe pse nuk do të jetë aspak e lehtë përballë kundërshtarëve si Teuta apo Goga Basket me të cilat Vllaznia u përball edhe në Kupë.
Vllaznia ëshët përforcuar kohët e fundit me basketbollistë të cilët bashkë me pjesën tjetër do të luajnë për fitimin e titullit kampion.