Besara Podgorica do të jetë drejtoresha e re rajonale e kulturës kombëtare në Shkodër. Podgorica këto ditë ka marrë emërimin nga Ministria e Kulturës dhe tashmë është prezantuar në rrugë zyrtare nga Ministrja e Kulturës Elva Margariti gjatë vizitës së saj të fundit në Shkodër. Podgorica zëvendëson në këtë post drejtoreshën e mëparshme rajonale të kulturës kombëtare në Shkodër Majlinda Laçej e cila qëndroi në këtë post prej afro 6 vitesh që nga 2015-ta kur u emërua. Ndërkohë drejtuesja e re Podgorica vjen pas një angazhimi disa vjeçar në shumë projekte artistike e kulturore në qytetin e Shkodrës, në shumë prej të cilave duke dhënë kontributin e saj si vullnetare në zhvillim të artit dhe kulturës por edhe si një aktiviste e të drejtave të grave dhe vajzave në Shkodër e më gjërë. Pas emërimit në krye të drejtorisë rajonale të kulturës kombëtare në Shkodër Podgorica përmes një statusi në faqen e saj të facebook ka shpërndarë një mesazh falenderues si dhe duke thënë se do jetë e angazhuar që në këtë detyrë të re të rëndësishme të japë maksimumin. Ja se çfarë shkruan Podgorica në mesazhin e saj të plotë pas emërimit si drejtore e DRKK Shkodër:

“Nga sot, zyrtarisht do të jem në krye të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Shkodër. Ndihem e nderuar të ushtroj këtë funksion publik në vendlindjen time, në Shkodër.  Kam mirëpritur e mirëpres mesazhet dashamirëse, urimet dhe përgëzimet e mbi të gjitha mbështetjen e miqve të mi. Falë jush, mesazheve pozitive dhe promovuese, besimit dhe motivimit, e kam pranuar këtë rol drejtues, jo si një privilegj në këtë rrugëtim të ri në karrierën time, por si një sfidë. Me dëshirën që të kontribuoj për Shkodrën, vendlindjen time të dashur, me ekspertizën dhe pasionin tim për traditën, kulturën e gjithçka të bukur që ky qytet të fal. Jam e bindur, plot energji pozitive dhe e lumtur që kam mundësi të vazhdoj rrugëtimin e gjyshit tim të nderum Fadil Podgorica, një erudit i lindun për kulturën, folklorin, etnografinë, dhe e ndjej që jam dhe do të jem në rrugën e drejtë sa kohë të jem duke ndjekur gjurmët e tij.  Shkodra ka përcaktuar gjithmonë drejtimet, i ka paraprirë qytetërimit shqiptar duke qenë në të njëjtin hap me qytetërimin botëror. Mendjet e ndritura nga ky qytet kanë shkruar gjuhën e historinë, kanë lëvruar artet e dijet e kohëve. Në Shkodër nisën të shkruhen librat e parë, të këndohen këngët e para, të luhen dramat e para, të bëhen fotot e para, të shfaqen filmat e parë, të luhet së pari futboll, të dëgjohen pianot e para nëpër shtëpi, të kompozohen operat e para. Gjenezë! Shkodra është gjeneza!! Dhe unë më shumë se kurrë dua që keto fjalë të tingellojnë edhe sot si dikur. Ju falenderoj shumë e shumë miq shkodrane e më tej”, shprehet Podgorica.

 

Artikulli paraprakSHKODËR, MINISTRJA: QEVERIA SHTOI BUXHETIN PËR KULTURËN ( VIDEO)
Artikulli tjetërANALISTI DRAGA: OPEN BALKAN NISMË SERBE, SJELL DESTABILIZIM ( VIDEO)