Punimet në rrugën Qafë Thore – Theth që nisën pak ditë më parë për rikonstruksionin e saj janë bllokuar që në ditët e para. Firma që do zbatojë këtë projekt ka dërguar makineritë për nisjen e punimeve por pa filluar mirë janë bllokuar. Banorët e Thethit shprehen se bllokimi i rrugës është bërë nga ana e bashkisë Shkodër e cila nuk ka lëshuar ende lejen e ndërtimit për 16 kilometrat që do t’i nënshtrohen rikonstruksionit.
Banorët e Thethit shprehen se rruga është e domosdoshme duke qenë se numri i turistëve të huaj që shkojnë atje është shumë i lartë.
Studimi për rrugën Qafë Thore-Theth është bërë nga Banka Botërore ndërsa financimin e jep Fondi Shqiptar i Zhvillimit i cili që me tre tetor i është drejtuar me një shkresë zyrtare bashkisë Shkodër për firmosjen e të gjithë dokumentacionit të duhur mes të cilave edhe lejen e ndërtimit e cila sipas burimeve nuk është firmosur ende duke u bërë pengesë për nisjen e punimeve në rrugën e Thethit.
Nga ana e saj bashkia Shkodër ka dhënë një përgjigje për këtë situatë duke publikuar një marrëveshje të firmosur me Fondin Shqiptar të Zhvillimit që me 19 korrik të këtij viti. Në këtë reagim thuhet se bashkia Shkodër ka mbështetur që në ditën e parë projektin e rrugës së Thethit duke kërkuar nisjen sa më shpejt të punimeve ndërsa çdo aludim tjetër sipas bashkisë është i pavërtetë dhe se ky projekt nuk duhet të përdoret për qëllime politike.
Pak ditë më parë kryeministri Rama përmes një video të fshatit turistik të Thethit njoftoi se shumë shpejt do të nisin punimet por tashmë janë bllokuar për shkak të këtij moskuptimi mes bashkisë Shkodër me firmën dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe ende është e paqartë se si do të zgjidhet ky ngërç.