Reshjet e borës kanë zbardhur qytetin e Shkodrës. Pas temperaturave të ulëta ditët e fundit bora ka nisur në orët e para të mëngjesit për të vijuar pa ndërprerje për disa orë me radhë.
Fillimisht qytetarët kanë patur vështirësi në lëvizje dhe shumë prej tyre kanë lënë mjetet e parkuara duke lëvizur në këmbë ndërsa të tjerët kanë bërë kujdes.
Në informacionin e parë zyrtar bashkia Shkodër bëri të ditur se qyteti dhe njësitë administrative janë zgjuar bardh nga bora. Sipas bashkisë administrata dhe ndërmarrjet e varësisë kanë qenë në gatishmëri që në orët e para të mëngjesit.
Nga raportimi i bashkisë brenda qytetit, trashësia e borës është 3-4 cm. Punonjësit e Ujësjellës- Kanalizime kanë nisur punën me 7 fadroma dhe mjete të tjera që kanë në dispozicion për hapjen e rrugëve dhe për shpërndarjen e kripës.
Punonjësit e Ndërmarrjes së Shërbimeve Pyjore dhe Kullosore dhe të te sektorit të ndriçimit kanë nisur në mëngjes herët punën për hedhjen e kripës në rrugët dhe trotuaret e qytetit, pranë spitaleve dhe në hyrje të shkollave.
Bashkia Shkodër bën me dije se vëmendja është përqendruar në rrugët kryesore të qytetit dhe pastrimin e trotuareve në afërsi të institucioneve të rëndësishme si spitali, shkollat etj.
Sipas raportimeve të deritanishme nga njësitë administrative të Bashkisë së Shkodrës, situata paraqitet jo problematike në Dajç, Ana e Malit, Bërdicë, Velipojë, Rrethina ndërsa në Postribë firma kontraktuese për mirëmbajtjen
e rrugëve po punon me dy fadroma për pastrimin e rrugës nga Ura e Bardhajve drejt fshatit Postribë, ndërsa një tjetër nga Pulti në drejtim të Mesit. Në Gurin e Zi në fshatrat Rragam dhe Sheldi lëvizja është e vështirë ndërsa në shkollat atje nuk zhvillohet mësim.
Problematike mbeten njësitë e Dukagjinit, Shala, Shoshi dhe Pulti. Nga Qafë Thorja rruga është e bllokuar ndërsa vështirësi ka edhe në aksin tjetër përgjatë lumit Kir.
Shkollat në Shosh dhe Pult nuk janë hapur për shkak të rrugëve të bllokuara atje ndërsa ka një rënie të numrit të nxënësve që frekuentojnë edhe shkollat e qytetit dhe njësive të tjera administrative.