INSTITUCIONET NUK MBAJNË FJALËN PËR 21 NËNORIN, “TA PASTROJMË SHQIPËRINË NË NJË DITË”. Kjo është deklarata e Luli Shehaj, koordinatore e “Green Albania” e bërë me 13 nëntor në prefekturën e Qarkut Shkodër për nismën “ta Pastrojmë Shqipërinë për një ditë”.
21 nëntori u la si dita kur edhe Shkodra duhej të bëhej pjesë e këtij aksioni. Kjo nismë në atë mbledhje të 13 nëntorit mori mbështetjen e të gjitha institucioneve. E në këtë mënyrë dita e sotme për një pjesë të mirë të institucioneve vendore në Shkodër duhej të ishte e angazhuar me këtë aksion të madh për pastrimin e qytetit të Shkodrës por jo vetëm edhe të komunave. Në këtë process duhej të ishin të përfshira edhe shkollat e Shkodrës. Në fakt kjo nismë përveçse nuk është mbështetur nga asnjë prej institucioneve ka dështuar totalisht. Askush në qytetin e Shkodrës nuk ka dalë për të pastruar qoftë edhe një rrugë apo lagje të vetme. Institucionet bashkë me shkollat e kanë braktisur këtë nismë duke mos mbajtur fjalën e dhënë në mbledhjen e para 8 ditëve. Gjithcka sot duhej të bëhej në mënyrë vullnetare nga institucionet dhe shkollat gjë e cila nuk ka ndodhur. “Ta pastrojmë Shqipërinë për një ditë” të paktën në Shkodër nuk ka funksionuar dhe është harruar plotësisht. Nga një vëzhgim i thjeshtë kudo në rrugët apo lagjet e qytetit, në shumë zona mbeturinat janë të pranishme çka tregon se askush nuk është kujtuar për të pastruar qoftë edhe një metër vend. Mund të jetë neglizhencë, përbuzje apo edhe mendjemadhësi duke bërë që kësaj here Shkodra të dështojë për pastrimin vullnetar të qytetit.